Vizioni kompjuterik

Biznes

Çfarë është vizioni kompjuterik? Edhe nëse e keni dëgjuar më parë si term, shanset janë që ta keni të vështirë t’i jepni nje përkufizim të saktë. Vizioni kompjuterik është, me fjalë të thjeshta, një teknologji që i lejon një kompjuteri të vëzhgojë dhe kuptojë. Mundësuar nga Inteligjenca Artificiale (AI) që i bën pajisjet kompjuterike të “mendojnë”, vizioni kompjuterik funksionon duke trajnuar një kompjuter që të shikojë objektet, imazhet, fotot, videot dhe të dhëna të tjera vizuale e më pas të nxjerrë përfundime domethënëse nga informacioni që merr.

Rastet e përdorimit të vizionit kompjuterik janë të pafundme. Psh, vizioni kompjuterik mund të shohë një pjatë me ushqim dhe të përcaktojë se çfarë produktesh mban ajo, si dhe është në gjendje të përcaktojë në çast çmimin, të identifikojë menjëherë të gjithë artikujt dhe të llogarisë koston e tyre totale. Vizioni kompjuterik mund të shikojë skanimet e fotografive brenda trupit për të zbuluar sëmundjet. Dhe sigurisht, në një nga rastet e tij më të famshme të përdorimit, vizioni kompjuterik është një komponent kyç në funksionimin e makinave vetë-drejtuese.

Njerëzit nxjerrin gjithashtu përfundime nga ajo që shohin, por kompjuterët mund të kryejnë funksione të ngjashme më shpejt dhe shpesh më saktë përmes fuqisë së AI. Për më tepër, kompjuterët nuk janë subjekt i problemeve që njerëzit ndonjëherë kanë me kujtesën dhe boshllëqet e saj.

Vizioni kompjuterik nuk është ende diçka për të cilën flitet gjerësisht në shumicën e qarqeve të biznesit. Ndërsa shumica e njerëzve ka të ngjarë të mos e kuptojnë se sa shpesh e përdorin atë, vizioni kompjuterik do të ketë një ndikim të rëndësishëm në botën e biznesit në vitet e ardhshme.

Më poshtë do shohim katër raste ku vizioni kompjuterik po ndryshon tashmë mënyrën se si ne bëjmë biznes:

1. Sistemi i shitjes dhe blerjes

Askujt nuk i pëlqen të presë në radhë për të paguar sendet ushqimore në supermarket. Edhe shtimi i shumë opsioneve të vetë-pagesës të bazuara në barkod nuk e ka rregulluar rrëmujën e tyre. Në fakt, ato kanë efektin e kundërt sepse klientët janë më të ngadaltë se një arkëtar në skanimin e barkodeve, mesatarisht 85 sekonda për transaksion në rastin më të mirë. 

Vizioni kompjuterik mund t’i rregullojë këto probleme. Sistemet e arkëtimit që përdorin vizionin kompjuterik mund të identifikojnë vizualisht artikujt e paraqitur nga çdo kënd dhe më pas t’i vendosin menjëherë ato në një transaksion të vetëm. Nuk ka nevojë për skanim të barkodit. Konsumatorët thjesht vendosin artikujt e tyre në tabakanë e kioskës dhe paguajnë menjëherë. Teknologjia e vizionit kompjuterik mund të identifikojë edhe hot-dogët e blerë nga një stendë me koncesion në një stadium ose pjatat ushqimore të blera në një kafene të korporatës apo spitalit.

2. Kujdesi shëndetësor

Nuk ka biznes më të madh se kujdesi shëndetësor. Nuk ka gjithashtu asnjë industri që gjendet nën më shumë presion nga mungesa e personelit apo  rritja e kostove të kujdesit.

Në kontekstin mjekësor, vizioni kompjuterik përdor AI për të rishikuar dhe përpunuar imazhet dhe për të ndihmuar me diagnozat. Vizioni kompjuterik mund të vlerësojë me saktësi yndyrën e trupit duke përdorur foto dhe të masë humbjen e gjakut gjatë lindjes me anë të imazheve. Një spital i Nju Jorkut madje trajnon kompjuterë për të rishikuar skanimet CAT dhe për të gjetur probleme neurologjike. 

Vizioni kompjuterik do të ndihmojë biznesin e kujdesit shëndetësor duke siguruar diagnozë të saktë në kohë rekord, duke parandaluar sëmundjet dhe duke zgjidhur çështjet mjekësore përpara se ato të bëhen të kushtueshme si për pacientin ashtu edhe për sistemin e kujdesit shëndetësor.

3. Bankat

Vizioni kompjuterik do të ndryshojë eksperiencën bankare në të njëjtën mënyrë sic bëri karta ATM dekada më parë. Shumë banka përdorin tashmë njohjen e fytyrës për të vërtetuar identitetet për transaksione specifike. Edhe bankat po largohen nga përdorimi i kartave të debitit për transaksione. Në vend të kësaj, ata përdorin biometrikë celularë për të vërtetuar identitetet në mënyrë që klientët të mund të tërheqin para, të transferojnë fonde apo të bëjnë veprime të tjera bankare. Jeta juaj e përditshme ekonomike në dekadën e ardhshme ka të ngjarë të përfshijë vizionin kompjuterik.

4. Automobilat

Vizioni kompjuterik mund të ndryshojë përfundimisht industrinë e automobilave siç e njohim ne sot. Makinat “e zgjuara” të fuqizuara nga vizioni kompjuterik janë në gjendje të përdorin skanerë, kamera dhe të dhëna të tjera për të lundruar në rrugë. Edhe pse makinat e automatizuara nuk janë gati për sallë ekspozite, industria është tashmë një biznes i madh. Një startup i makinave vetë-drejtuese së fundmi siguroi 600 milionë dollarë për t’u zgjeruar dhe ka bashkëpunuar me FedEx dhe Domino’s Pizza. Thjesht imagjinoni të porosisni një picë dhe t’jua sjellë atë një makine vetë-drejtuese.

Ka pa dyshim sfida për zbatimin e teknologjisë së vizionit kompjuterik, por mundësitë që ajo përfaqëson si teknologji mund të ndryshojnë jetën, jo vetëm për bizneset por edhe për konsumatorët. Kompanitë mezi presin ta zbatojnë këtë vizion; në një botë hiper-konkurruese, vizioni kompjuterik mund të sjellë rezultate të shpejta duke përmisuar kështu cilësinë e jetëve tona.