Inteligjenca Artificiale që po ndryshon botën

Teknologji

Kompjuteri flet me qetësi.

“Përshëndetje”, thotë ai. “A do ta vazhdojmë lojën?”

I referohet një loje shahu që kishim nisur të luanim. Por nuk isha në humor për të luajtur. Jo për faktin që ai gjithmonë më mundte në shah por sepse më herët atë ditë ai bëri një gabim të pashpjegueshëm në lidhje me dështimin e supozuar të pjesëve jetike të makinerisë, të nevojshme për të siguruar mbijetesën tonë të vazhdueshme. I kontrollova personalisht dhe pashë se ishin ende në gjendje të mirë pune, megjithëse kompjuteri këmbënguli se ishin të prishura. Tani e vetmja gjë që pres është një përgjigje.

“Po, e di që i keni parë funksionale, por mund t’ju siguroj që ato ishin gati të dështonin,” thotë kompjuteri, duke u përpjekur t’më qetësojë me të njëjtin ton monoton pa emocione që përdor gjithmonë.

“Epo, nuk është tamam kështu,” ju përgjigja. “Gjithcka është përsosmërisht në rregull. Ne i testuam ato.”

“Unë nuk po e vë në dyshim fjalën tuaj, por thjesht është e pamundur,” thotë kompjuteri.

Më pas shton gjashtë fjalët që unë e dija mirë që ishin të vërteta, por që ishin absolutisht të fundit gjëra që dëshiroja të dëgjoja në ato momente: “Unë nuk jam në gjendje të gaboj.”

Adhuruesit e filmave do ta njohin menjëherë këtë skenë nga filmi klasik fantastiko-shkencor i Stanley Kubrick, 2001: A Space Odyssey, rreth një kompjuteri inteligjent që kthehet në vrasës dhe përpiqet të vrasë ekuipazhin e tij.

Për vite me radhë, kjo ishte mënyra se si ne mendonim rreth Inteligjencës Artificiale: si një prani e dobët kërcënuese e mbështjellë në mënyrë të sigurtë në kontekstin e fantashkencës.

Por jo më.

Sot, ëndrra e inteligjencës artificiale ka dalë nga kinematë dhe romanet dhe është bërë realitet. Inteligjenca artificiale mund të drejtojë makina, të tregtojë stoqe dhe aksione, të mësojë të kryejë funksione komplekse thjesht duke ndjekur video në YouTube, të përkthejë dhjetëra gjuhë të ndryshme, të njohë fytyrat e njerëzve me më shumë saktësi sesa mundemi ne, qeniet njerëzore dhe të krijojë hipoteza origjinale për të ndihmuar në zbulimin e barnave të reja për shërimin e sëmundjeve. Dhe ky është vetëm fillimi.

Ëndrra për t’u dhënë jetë objekteve ka ekzistuar për qindra mijëra vjet. Megjithatë, kur bëhet fjalë për popullarizimin e Inteligjencës Artificiale për njerëzit e zakonshëm, gjithcka nisi me kompjuterin e parë të programueshëm në botë: një kolos prej tridhjetë tonësh të quajtur ENIAC. 

Matematikani dhe shkencëtari pionier britanik Alan Turing parashikoi në vitin 1950 se nga fundi i shekullit të njëzetë, “përdorimi i fjalëve dhe opinioni rreth arsimimit të përgjithshëm do të ketë ndryshuar aq shumë sa që do të mund të flitet për makina që mendojnë pa pritur të kundërshtohen.” Ashtu si shumë parashikime futuriste rreth teknologjisë, ai ishte optimist në afatin e tij kohor. Në fillim të shekullit të njëzetë, ne flasim në mënyrë rutinore për teknologjitë “e zgjuara” dhe “të mësuarit” e makinerive – koncepte që do të dukeshin të çuditshme për njerëzit në kohën e Turing-ut.

Tani, duke festuar vitin e saj të gjashtëdhjetë si disiplinë, Inteligjenca Artificiale po shndërrohet në një nga projektet më të mëdha dhe më ambicioze të njerëzimit: një luftë për të ndërtuar makina të vërteta të të menduarit. Teknologët po afrohen nga dita në ditë dhe një e nesërme vezulluese po duket në horizont.

Ne jemi në fazat e “përshtatësit të hershëm” të asaj që do të jetë një ndryshim po aq i madh sa ardhja e energjisë elektrike në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim të shekullit të njëzetë.

Megjithëse nuk ka një përkufizim të njëtrajtshëm të dakordësuar, AI (inteligjenca artificiale) i referohet “makinave që i përgjigjen stimulimit në përputhje me përgjigjet tradicionale nga njerëzit, duke pasur parasysh aftësinë njerëzore për soditjen, gjykimin dhe qëllimin”. Sipas studiuesve Shubhendu dhe Vijay, këto sisteme softuerike “marrin vendime që normalisht kërkojnë një nivel njerëzor të ekspertizës dhe i ndihmojnë njerëzit të parashikojnë problemet dhe te gjejnë zgjidhje efikase. Si të tilla, ata veprojnë në një mënyrë të qëllimshme, inteligjente dhe adaptive.

Algoritmet e inteligjencës artificiale janë krijuar për të marrë vendime, shpesh duke përdorur të dhëna në kohë reale. Ato janë ndryshe nga makinat pasive që janë të afta vetëm për përgjigje mekanike ose të paracaktuara. Duke përdorur sensorë ose të dhëna digjitale, ata kombinojnë informacione nga një sërë burimesh të ndryshme, analizojnë materialin në çast dhe veprojnë sipas njohurive që rrjedhin nga ato të dhëna. Me përmirësimet masive në sistemet e ruajtjes, shpejtësisë së përpunimit dhe teknikave analitike, ato janë të afta për sofistikim të jashtëzakonshëm në analizë dhe vendimmarrje.

Inteligjenca artificiale tashmë po ndryshon botën dhe po ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë, ekonominë dhe qeverisjen.

Sistemet e AI kanë aftësinë për të mësuar dhe për t’u përshtatur ndërkohë që marrin vendime. Në zonën e transportit, për shembull, automjetet gjysmë autonome kanë pajisje që u japin informacione për bllokimet e rrugëve, gropat, gjendjen e autostradës ose pengesa të tjera të mundshme në trafik. Automjetet mund të përfitojnë nga përvoja e automjeteve të tjera në rrugë, pa përfshirjen njerëzore, dhe i gjithë korpusi i “përvojës” së arritur të tyre transferohet menjëherë dhe plotësisht në automjetet e tjera të konfiguruara në mënyrë të ngjashme. Algoritmet, sensorët dhe kamerat e tyre të avancuara përfshijnë përvojën në operacionet aktuale dhe përdorin tabela ose ekrane vizuale për të paraqitur informacionin në kohë reale, në mënyrë që drejtuesit njerëzorë të jenë në gjendje të kuptojnë trafikun e vazhdueshëm dhe kushtet e automjeteve. Dhe në rastin e automjeteve plotësisht autonome, sistemet e avancuara mund të kontrollojnë plotësisht makinën ose kamionin dhe të marrin vetë të gjitha vendimet e lundrimit.