Hapat sesi të bëhesh një freelancer

Biznes

Freelancers kanë në dorë gjithçka që lidhet me karrierën e tyre, lirinë e vendimmarrjes dhe menaxhimin e punës. Të jesh shefi i vetes tënde është sa e mrekullueshme po aq edhe sfiduese. Nëse mendoni se kjo është për ju, më poshtë do ju tregojmë rrugën sesi të bëheni një Freelancer.

Në të gjithë botën, kompanitë e vogla dhe të mëdha kanë rritur ndjeshëm përdorimin e shërbimeve Freelancing. Nëse keni vendosur të bëheni një profesionist i pavarur, shanset janë që t’i jeni futur rrugës së duhur ku mundësitë janë të pafundme. Pavarësisht nëse qëllimi juaj është të fitoni disa para më shumë ose ta bëni profesionin e pavarur një karrierë me kohë të plotë, do t’ju duhet të armatoseni me njohuri, një vendosmëri për të mësuar më shumë dhe për t’u përmirësuar si dhe shumë durim.

Tregu i profesionistëve të pavarur po rritet nga dita në ditë, dhe nëse doni të jeni konkurrues, duhet të përgatiteni të përshtateni me rrethanat. Ndiqni këto shtatë hapa për të filluar:

1. Vendosni nëse Freelancing është për ju.

Freelancing ka të mirat dhe të këqijat e veta, por, në përgjithësi, duhet të keni një mentalitet specifik për të qenë një freelancer. Të jesh shefi i vetes është një gjë e shkëlqyer nëse je i disiplinuar.

Puna e pavarur ju mundëson të caktoni orarin tuaj, kështu që mund të merrni një ditë pushimi sa herë të dëshironi, por nuk do të paguheni për atë kohë, sepse në botën e freelaning nuk ekziston një koncept i  tillë si leja me pagesë. Nëse dëshironi të jeni një profesionist i pavarur, duhet të mbani një rutinë të përditshme pune, të jeni gati për të punuar në disa projekte në të njëjtën kohë dhe vazhdimisht të kërkoni projekte të reja për të mbajtur një rrjedhë të qëndrueshme të punës.

Nëse jeni ende duke punuar me kohë të plotë, mos e lini menjëherë punën tuaj. Në vend të kësaj, kombinoni profesionin e pavarur dhe punën me kohë të plotë derisa të grumbulloni mjaft klientë dhe lidhje për të mbështetur veten si freelancer. Puna nga një vend i rehatshëm me qëndrueshmëri dhe të ardhura të sigurta është një mjedis shumë i mirë për zhvillimin e biznesit tuaj të pavarur.

2. Gjeni një platformë.

Shumica e Freelancers përdorin platforma të pavarura për të gjetur punë. Rekomandimet dhe kanalet e mediave sociale si LinkedIn mund të jenë një burim i shkëlqyer por platformat e internetit si “Fiverr”, ku ti mund të reklamosh shërbimin që ofron janë ato që do ju lejojnë të lidheni pa mundim me klientët që kërkojnë Freelancers. Aty ka gjithmonë vende pune.

Gjithashtu, shumica e këtyre platformave kanë politika dhe ofrojnë mbrojtje si për punëtorët e pavarur ashtu edhe për ata që punësojnë. Në platformat e pavarura, çdo projekt që merrni përsipër është një mini kontratë dhe si ju ashtu edhe klienti duhet t’u përmbaheni kushteve të tij. Zgjedhja e platformës me modelin që i përshtatet nevojave tuaja dhe pritshmërive të pagës është tepër e rëndësishme për suksesin tuaj. 

Shumë platforma inkurajojnë të ashtuquajturën “garë deri në fund”, ku profesionistët e pavarur ofrojnë punë me cilësi të dobët në këmbim të kompensimit të dobët. Por kjo në fund të fundit, nuk ndihmon askënd – blerësit nuk mund të gjejnë cilësi të mirë të punës dhe Freelancers nuk mund të fitojnë para të mjaftueshme. Ja pse është e rëndësishme të gjejmë platformën e duhur.

Disa platforma të pavarura, si “Hiremotely”, e bazojnë modelin e tyre të biznesit në pranimin e disa Freelancers të përzgjedhur dhe bëjnë lidhjen e tyre me klientët bazuar në kërkesa shumë specifike. Të qenit anëtar i një platforme të tillë ekskluzive ju lejon të lidheni me klientë seriozë dhe të paguheni për punë me cilësi të lartë. Procesi i pranimit në këto lloj platformash mund të zgjasë disa javë dhe të përfshijë disa raunde testesh përkatëse.

3. Ndërtoni profilin tuaj.

Ju nuk keni nevojë të përgatisni një CV trandicionale, pasi shumica e platformave Freelancing kanë një shabllon të paradizejnuar që duhet të plotësoni me informacionin tuaj.

Merrni kohë për të krijuar një profil të konsiderueshëm që do të informojë klientët e mundshëm për arsimimin, aftësitë, ekspertizën dhe përvojën tuaj. Nuk është e nevojshme të shkruani romane – qëndroni të shkurtër dhe të qartë. Rendisni aftësitë, përvojat, arritjet tuaja të veçanta dhe shpjegoni pse jeni personi i duhur për këtë punë.

4. Ndërtoni portofolin tuaj.

Profili juaj mund të tregojë se ju jeni një astronaut, por nëse nuk ngarkoni selfie-n tuaj nga stacioni ndërkombëtar hapësinor, klientët potencial ka gjasa të mos ju besojnë. Pra, kur krijoni një profil, sigurohuni që të ofroni një portofol që ilustron aftësitë dhe përvojën tuaj.

Nëse jeni fillestar në fushën tuaj, merrni kohë për të krijuar një portofol me punime model, ose thjesht pranoni disa punë me një tarifë të zbritur në këmbim të përvojës.

5. Përcaktoni çmimin tuaj.

Tarifa juaj për orë ose çmimi i projektit varet shumë nga grupi i aftësive dhe përvoja juaj.

Nëse keni vetëm disa vite përvojë, sigurisht, nuk mund të kërkoni të njëjtën tarifë si profesionistët e pavarur me shumë eksperiencë. 


Sidoqoftë, nëse përfundimisht dëshironi ta ktheni profesionin e pavarur në një punë me kohë të plotë, tarifa duhet të mbulojë shpenzimet tuaja mujore nëse keni punë të qëndrueshme, pavarësisht sa përvojë keni. *Konsideroni përdorimin e kartës së kreditit për të ndihmuar në përpunimin e pagesave të klientëve me lehtësi dhe efikasitet.

6. Gjeni punë.

Nëse jeni duke kërkuar në mënyrë aktive për projekte dhe klientë, këtu gjeni disa këshilla që do t’ju ndihmojnë.

Së pari, aplikoni vetëm në punët që keni besim se mund t’i bëni. Nuk ka kuptim të aplikoni për një projekt që nuk mund ta përfundoni në kohë me rezultate të kënaqshme. Si një profesionist i pavarur, ju po ndërtoni reputacionin tuaj nga e para, dhe veçanërisht në fillim, është me rëndësi të madhe të siguroni reagime pozitive.

Kur aplikoni për punë, sigurohuni që të shpjegoni pse jeni zgjidhja më e mirë për një punë ose projekt të veçantë. Theksoni aftësitë dhe përvojën që lidhen me kërkesat.

Me kalimin e kohës, platformat e pavarura shpërblejnë profesionistët e pavarur të vlerësuar që kanë pasur rezultatet më të larta, kështu që është në interesin tuaj më të mirë t’i mbani klientët tuaj të lumtur.

Disa profesionistë të pavarur shmangin tregjet në internet sepse ato vijnë me komisione (zakonisht midis 5% dhe 20% të fitimeve tuaja), të cilat mund të shtohen deri në fund të muajit. Në këtë rast, përpiquni të përdorni grupe të ndryshme në Facebook dhe LinkedIn për të gjetur punë. Megjithatë, kini parasysh se me këto rrjete nuk ka asnjë kontratë dhe asnjë garanci që dikush do t’ju pagujë për punën që do të bëni.

7. Përqendrohuni në marrëdhëniet me klientët.

Marrëdhëniet me klientët tuaj janë pjesa më e rëndësishme e profesionit të pavarur. Duke mbajtur një lidhje të mirë me klientët tuaj aktual dhe duke ofruar punë cilësore, do të keni më shumë gjasa të siguroni punë më të qëndrueshme në të ardhmen. Sigurohuni që të përmbushni çdo afat, të dëgjoni udhëzimet, të bëni çdo modifikim të nevojshëm dhe të komunikoni në mënyrë efikase me klientët tuaj. Duhet të jeni gjithmonë në dispozicion të klientëve tuaj në rast se ata kanë ndonjë pyetje, kërkesë ose shqetësim.

Për më tepër, është e rëndësishme të ndërtoni portofolin tuaj për të tërhequr klientë të rinj. Një reputacion i mirë është thelbësor si një profesionist i pavarur, prandaj sigurohuni që po bëni më të mirën tuaj. Ju mund të reklamoni shërbimet tuaja në mediat sociale ose në faqen tuaj të internetit, të cilat duhet të përditësohen rregullisht. Një prani e fortë digjitale është kritike, pasi klientët duan të ndihen sikur mund t’ju besojnë përpara se të vendosin të punojnë me ju.

business