The 400 blows

Filma

Viti: 1959
Vendi i origjinës: Francë
Kohëzgjatja: 1 orë 39 minuta.
🎬 Regjizori: François Truffaut

Kërkoj që një film të shprehë ose gëzimin ose agoninë e të bërit kinematografi. Nuk jam aspak i interesuar për diçka të mesme.

– Francois Truffaut

“The 400 Blows” i Francois Truffaut është një nga historitë më prekëse të bëra ndonjëherë për një adoleshent të ri. Filmi flet per një djalë të shkathët që rritet në Paris dhe mesa duket po futet me kokë në një jetë krimi.

Dy nga skenat që kanë shënjuar kujtesën time janë momenti kur personazhi kryesor, Antoine Doinel ndez një qiri përpara një faltoreje të vogël për Balzakun në dhomën e tij të gjumit dhe pamja e famshme përfundimtare e filmit, një zmadhim në një kornizë të ngrirë, e cila e tregon atë duke parë drejtpërdrejtë nga kamera. Ai sapo ka ikur nga shtëpia e paraburgimit dhe ndodhet në plazh, i kapur mes tokës dhe ujit, mes së shkuarës dhe së ardhmes. Është hera e parë që sheh detin.

Filmi i parë artistik me regji të François Truffaut, deri atëherë kritik dhe eseist, “The 400 blows” na vë përballë një kineast me një dëshirë të madhe për të treguar në praktikë njohuritë e tij kinematografike.

Kjo është një vepër shumë personale, me regjisorin që ka një alter-ego te protagonisti, duke portretizuar disa episode nga adoleshenca e tij problematike, duke u ankoruar në jetën e përditshme të Antoine Doinel, një personazh që ai do ta rishikonte në katër vepra të tjera, për të na dhënë një portret të një para-adoleshenti rebel, tek figura e te cilit mishërohen dhe trajtohen një sërë problemesh që rrjedhin nga personaliteti i tij dhe bota që e rrethon.

François Truffaut krijoi një vepër sublime për rritjen e trazuar të një të riu dhe formimin e identitetit të tij, në sfondin e një qyteti si Parisi, një qytet që zakonisht lidhet me dashurinë dhe ndjenjat e ngrohta, të ekspozuar me realizëm të jashtëzakonshëm. Kryeqyteti francez është skena e historisë së vështirë të protagonistit, një dymbëdhjetëvjeçar para adoleshent, i lodhur me sistemin arsimor dhe mungesën e vëmendjes nga prindërit, një adhurues filmi nga natyra dhe rebel. I interpretuar me thjeshtësi dhe efikasitet të madh nga Jean-Pierre Léaud, Antoine Doinel vjen drejt e nga fëmijëria e Truffaut.

Filmi eksploron dhe trajton çështje që lidhen me mësimdhënien në Francë, autoritarizmin në shkolla dhe trajtimin e papërshtatshëm ndaj të rinjve që kryejnë krime, duke krijuar nje portret të plotë social të Francës së atëhershme.

“The 400 blows” na ofron një sërë imazhesh lëvizëse të afta për të thelluar efektet e rrëfimit, të lidhura me një kolonë zanore të saktë në një vepër të jashtëzakonshme të Nouvelle Vague franceze. Vetë vepra është një paradigmë e kësaj lëvizjeje, me karakterin e saj rebel dhe të shqetësuar që te kujton këta kineaste të gatshëm për të shënuar një epokë, për të thyer barrierat narrative, për të eksploruar anën psikologjike të personazheve si dhe për të shkelur konventat.