Y tu mama tambien

Filma

Viti: 2001
Kohëzgjatja: 1 orë 46minuta
🎬 Regjizori: Alfonso Cuaron


Life is like the foam.

So give yourself away like the sea.

Y Tu Mamá También i Alfonso Cuaron është një meditim i pacipë, prekës dhe i thellë mbi seksin, jetën adulte, pjekurinë dhe përgjegjësinë e parë përmes syve të dy djemve adoleshentë, jetët e të cilëve marrin një kuptim të ri kur ata nisen në një udhëtim me makinë nëpër Meksikë. I zjarrtë, erotik dhe jashtëzakonisht argëtues, Cuaron ka krijuar një film, temat e të cilit funksionojnë në një nivel që ndërthur dramën me komedinë dhe na jep mësime kuptimplota për jetën, ndërkohë që ne nisemi në një udhëtim drejt vetë-zbulimit me këta fëmijë të papjekur dhe pasagjeren e tyre të bukur. 

Julio dhe Tenoch janë dy djem 17-vjeçare nga Mexico City. Ata janë si çdo adoleshent tjetër, të ushqyer me hormone, të uritur për seks dhe rebelë. Kohën e kalojnë duke notuar, duke pirë duhan me shokun e tyre të mërzitur Saba apo duke bërë dashuri me të dashurat e tyre si lepurushë të tërbuar. Pasi vajzat nisen në një udhëtim për në Itali, Julio dhe Tenoch kanë tashmë më shumë kohë të lirë. Por jeta e tyre ndryshon kur ata bien dakord të çojnë një grua mahnitëse të quajtur Luisa në ‘Heaven’s Mouth’, një plazh që e kishin krijuar aty për aty teksa flirtonin me të. Ata nisin një udhëtim me makinë drejt plazhit imagjinar që do t’i japë një kuptim të ri për ta dashurisë, jetës, seksit dhe miqësisë, duke kulmuar në një fund që është brutalisht prekës dhe mjaft real.

Stili i filmit të Cuaron, ende në fillimet e tij, është autentik dhe jashtëzakonisht profesional. Përveç protagonistëve tanë, skenari i Cuaron i hap rrugën Meksikës për të qenë heroi i vërtetë. Të vendosura në sfondin e trazirave politike të Meksikës, rrëfimet dhe linjat e filmit na japin një paraqitje të shkurtër të kushteve socio-ekonomike të personazheve si dhe të botës përreth tyre. Historia e tyre zhvendoset nga qyteti i gjallë i Meksikës në peisazhet e tij rurale, duke zbuluar dhe eksploruar kulturën dhe shoqërinë e tyre. 

Ky film të jep ndjesinë e një vere të pafund, një udhëtimi të përjetshëm rrugor përtej kufijve të kohës, pa pasoja, pa botë të jashtme. ndjenjën se gjithçka mund të zgjasë përgjithmonë. 

Gael Garcia Bernal, Diego Luna dhe Maribal Verdu janë aktorët yje të këtij filmi. Të kesh guximin dhe përkushtimin për të bërë këto skena eksplicite, të kesh kaq shumë pasion për artin në çdo formë të tij, si dhe kimia që ekziston mes tyre është diçka emocionuese dhe autentike për t’u parë. Është reale deri në pikën sa harroj se është një performancë që tregon regjinë e fortë dhe skenarin solid të Cuaron.

Por qëllimi i këtyre skenave eksplicite është zhvillimi i personazheve. Seksi është lidhja emocionale mes tyre. Është harku i karakterit të tyre. Luisa u mëson djemtë si të duan, si t’u japin kënaqësi të tjerëve dhe jo vetëm vetes, dhe mbi të gjitha, si të pranojnë gabimet e tyre. 

Skenari i Cuaron, i shkruar së bashku me vëllain e tij Carlos Cuaron, është serioz në diskutimin e sfondit politik. Problemet që mundojnë Meksikën janë të ndërthurura në jetën e të gjithë personazheve qofshin të vegjël apo të mëdhenj. Ne e shohim atë në protestat kundër qeverisë së tyre teksa babai i Tenoch thërret Presidentin për dasmën e vajzës së tij apo te popullata e varfër rurale si Chuy, jeta e të cilëve do të përballet me tragjedi për shkak të ekonomisë së shkatërruar. Mënyra se si tabloja më e gjerë politike ndërthuret rreth një narrative kaq intime është shumë e bukur.

Në përgjithësi, është një film që mund ta shikoni dhe të ndjeni se keni fituar diçka. Fundi ishte sentimental dhe prekës, por kjo është… jeta, mendoj.

Vlerësimi: 10/10