Buja që po bën dokumentari i BBC-së “Philomena Cunk”
FilmaShfaqja e re “Cunk on Earth” duket si një dokumentar ambicioz i BBC-së. Kjo derisa personazhi i saj imagjinar, i krijuar nga Charlie Brooker, fillon të bëjë disa pyetje thellësisht të cuditshme.
Në një nga episodet e emisionit të saj në BBC që hulumton historinë e njerëzimit, Philomena Cunk interviston Martin Kemp, një profesor në Universitetin e Oksfordit për periudhën e Rilindjes.
“Cila ishte më e rëndësishme nga ana kulturore, Rilindja apo kënga “Single Ladies” e Beyonce-s?” e pyet ajo akademikun gjithë seriozitet.
Kemp ndalon përpara se të përgjigjet. “Rilindja po përpiqej të reformonte kulturën në tërësi, thotë ai, dhe, çfarëdo që të bëjë Beyoncé, nuk mendoj se ajo e ka aq ambicie”.
Cunk përgjigjet: “Pra, çfarë, puna e disa burrave të bardhë thjesht e nxjerr Beyoncen jashtë loje?”
Cunk, një personazh i luajtur nga aktorja Diane Morgan, është e sigurt, e paturpshme dhe njëherazi shumë normale dhe shumë e çuditshme. Cunk ka drejtuar disa programe satirike të BBC-së me segmente që sillen rreth temave të ndryshme si feja, koha, arti etj.
“Më pëlqen shumë ideja që ajo të mos jetë nga asnjë kohë apo vend,” tha Morgan në një intervistë të fundit. Charlie Brooker, i cili krijoi personazhin, e përshkroi Cunk si “e ardhur nga një tjetër botë”.
Në “Cunk on Earth”, një emision satirik që po transmetohet tani në Netflix, Cunk përballet me detyrën herkuliane për të eksploruar tërësinë e qytetërimit njerëzor. (Në Britani, seriali u transmetua në BBC vitin e kaluar.)
Shfaqja ka të gjitha shenjat dalluese të një dokumentari të BBC-së, me pamje gjithëpërfshirëse me dron të prezantueses që qëndron mes peisazheve të gjera dhe shfaqjeve dramatike. Morgan, 47 vjeç, luan Cunk me një pamje krejtësisht serioze, pa buzëqeshur kurrë.
“Ne nuk priremi të bëjmë shumë gjëra që do tju tregojnë se kjo është një komedi,” tha Brooker, producent ekzekutiv i shfaqjes. “Nëse do ta shikonit këtë dokumentar pa audio, do të mendonit që “Kjo duket si një shfaqje e vërtetë”.
Por vëzhgimet e Cunk variojnë nga më absurdet deri te më të çuditshmet. Mbajtja mend e fakteve është gjithashtu dicka e diskutueshme – ajo i referohet Christopher Columbus si Christopher Columbo, një “marinar dhe detektiv italian”. Në intervista, pyetjet e saj shpesh i lënë akademikët e jetës reale të hutuar ose të tronditur.
Morgan “nuk ka frikë të krijojë një pauzë jashtëzakonisht të vështirë, ose mund të thotë gjëra tepër qesharake me një fytyrë krejt serioze” tha Brooker.
“Cunk on Earth” përshtatet në mënyrë të përkryer me krijimtarinë satirike të Brooker-it, i cili njihet për krijimin e episodit i parë të “Black Mirror”, një thriller që hapet me një kryeministër britanik të shantazhuar për të bërë seks me një derr. Ai gjithashtu krijoi edhe “A Touch of Cloth”, një serial që ka aktorë dramatikë që parodizojnë procedurat e policisë britanike.
Cunk i pati fillimet e saj në “Charlie Brooker’s weekly wipe”, një emision satirik i BBC-së i cili u shfaq në Britani në vitin 2013. Ajo fillimisht ishte konceptuar si një personazh i klasës së lartë pa ide, por trajektorja e personazhit ndryshoi pasi Morgan sugjeroi në audicionin e saj që ajo të fliste me theksin e saj verior britanik. Personazhi së shpejti pati segmente më të gjata në shfaqje, të cilat çuan në spinoffs (një nënprodukt ose rezultat i rastësishëm i një projekti të madh) dhe madje edhe në krijimin e një libri, “Cunk on Everything”, i lëshuar në treg në vitin 2019.
Për Morganin, ndërsa tërheqja e njërëzve ndaj personazhit të saj ka të bëjë shumë me skenarin dhe performancën e saj, Cunk gjithashtu i ofron audiencës disa katarsis (procesi i çlirimit të emocioneve negative). “Shumë njerëz fantazojnë të jenë në gjendje të thonë çfarë të duan duke mos i interesuar asgjë tjetër” tha aktorja. “Asaj realisht nuk i plas për asgjë, dhe kjo është pothuajse si një superfuqi.”
Në një kohë kur forma satirike shpesh është e mbushur me rezonancë rreth çështjeve të jetës reale – në filma si “Borat Subsequent Moviefilm” i vitit 2020 ose shfaqje si “Abbott Elementary” – “Cunk on Earth” vjen disi ndryshe. Për krijuesit e tij, shfaqja nuk po përpiqet domosdoshmërisht të vërë në dukje apo të japë një mesazh specifik për politikën, akademinë apo edhe formën dokumentare. Prioriteti i saj i parë është marrëzia.
“Është argëtuese të marrësh diçka që duhet të jetë frymëzuese, serioze dhe madhështore, dhe ta kthesh në diçka qesharake” tha Brooker.
Megjithatë, skenari përmban momente komentesh thumbuese. Në vlerësimin e saj të historisë njerëzore, Cunk bën komente për hipokrizinë fetare apo gjenocidin.
Gjatë një episodi rreth matematikës, Cunk i thotë një akademiku se ajo pa një video në YouTube duke thënë se numrat shkojnë vetëm deri në 700, pas tyre u vendosën emra të ndryshëm në mënyrë që njerëzit të mendojnë se janë akoma në rritje. “Kjo është diçka që më frikëson në botën reale,” tha Brooker. “Besimi me të cilin njerëzit do të fillojnë të pohojnë gjërat që kanë lexuar.”
Megjithatë, shfaqja është para së gjithash një komedi. “Unë thjesht dua të bëj diçka vërtet argëtuese” tha Morgan.
“Nuk duhet të ketë ndonjë kuptim të madh për mua,” shtoi ajo. “Unë nuk jam duke u përpjekur të ndryshoj botën, thjesht dua që njerëzit ta shijojnë atë.”