Si lidhen zakonet tuaja të gjumit me shtimin në peshë?

Shëndetësi

Humbja e gjumit ka tendencë t’i bëjë njerëzit të hanë më shumë dhe të shtojnë në peshë. Një studim i ri sugjeron se një nga arsyet për këtë mund të jetë ndikimi që mungesa e gjumit ka në tru.

Hulumtimi tregoi se privimi i njerëzve nga gjumi për një natë krijoi ndryshime të theksuara në mënyrën se si truri i tyre reagonte ndaj ushqimeve me kalori të lartë. Në ditët kur subjektet nuk ngopeshin me gjumë, ushqimet e majme si patatet e skuqura dhe ëmbëlsirat stimuluan reagime më të forta në pjesën e trurit që lidhet me motivimin për të ngrënë. Por në të njëjtën kohë, subjektet përjetuan një reduktim të mprehtë të aktivitetit në korteksin frontal, një pjesë e nivelit më të lartë të trurit ku merren vendime racionale.

Një tru i përgjumur duket se jo vetëm që i përgjigjet më fort ushqimit të padëshiruar, por gjithashtu ka më pak aftësi për ta frenuar atë impuls.

Studimet e shumta tregojnë se të rriturit dhe fëmijët kanë më shumë gjasa të jenë mbipeshë dhe obezë sa më pak të flenë natën. Një studim i rëndësishëm në Universitetin e Kolorados tregoi se humbja e vetëm disa orësh gjumë për disa netë me radhë bënte që njerëzit të grumbullonin mesatarisht rreth dy kilogramë.

Në një studim të ri, i cili u botua në revistën Nature Communications, Dr. Walker dhe kolegët e tij rekrutuan 23 burra dhe gra të shëndetshme dhe i caktuan në dy regjime të ndryshme. Në rastin e parë subjektet erdhën në laborator dhe patën një natë normale gjumi – afërsisht tetë orë – para se të zgjoheshin për një mëngjes të vogël me bukë të thekur dhe reçel.

Subjektet më pas panë 80 fotografi të një shumëllojshmërie ushqimesh dhe iu kërkua të vlerësonin se sa fort i dëshironin ato ndërsa një makinë imazherike maste aktivitetin e trurit. Subjekteve iu tha se pasi të shikonin fotot, do të merrnin një nga ushqimet që ata e dëshironin.

Në rastin e dytë, subjektet ndoqën të njëjtën rutinë, por këtë herë, në vend që të flinin, qëndruan zgjuar gjatë gjithë natës. Atyre iu dhanë edhe ushqime të lehta gjatë kësaj kohe për të kompensuar çdo kalori shtesë që ata digjnin ndërsa qëndronin zgjuar.

Hulumtimi tregoi se kur subjektet ishin të përgjumur dhe të privuar nga gjumi, preferonin ushqime të tilla si ëmbëlsirat, çokollatat dhe patatet e skuqura. Sa më të përgjumur ndiheshin, aq më shumë donin ushqime të pasura me kalori.

Në të njëjtën kohë, skanimet e trurit treguan se në mëngjes pas natës pa gjumë të subjekteve, ushqimet me shumë kalori prodhonin aktivitet intensiv në një strukturë në formë bajame të quajtur amigdala, e cila ndihmon në rregullimin e emocioneve bazë si dhe dëshirat tona për gjëra të tilla si ushqimi. Kjo u shoqërua me reagime të reduktuara ndjeshëm në zonat kortikale të lobit frontal që rregullojnë vendimmarrjen.


“Ka diçka që ndryshon në trurin tonë kur jemi të përgjumur, pavarësisht se për sa energji kemi nevojë”, tha Dr. Wright, drejtor i laboratorit të gjumit dhe kronobiologjisë në Universitetin e Kolorados. “Truri dëshiron më shumë edhe kur nevoja për energji është plotësuar.”

Por pse mungesa e gjumit e ndryshon reagimin e trurit ndaj ushqimit?

Dr Walker tha se ai dyshonte se një faktor që luan një rol të rëndësishëm është një substancë e quajtur adenozina, një nënprodukt metabolik që prish funksionin nervor dhe nxit përgjumjen kur grumbullohet në tru. Një nga mënyrat se si kafeina stimulon zgjimin është duke bllokuar adenozinën. Adenozina gjithashtu pastrohet nga sistemi kur flemë.

Pa pushim të mjaftueshëm, adenozina grumbullohet dhe mund të fillojë të bllokojë komunikimin midis rrjeteve në tru, tha Dr. Walker. Fjetja mund të jetë e barabartë me rindezjen e trurit.

“Unë mendoj se ju keni rreth 16 orë funksionim optimal përpara se trurit t’i duhet të flejë,” tha ai. “Nëse kaloni përtej këtyre 16 orëve , atëherë rrjetet e trurit fillojnë të bëhen jofunksionale.”

Dr. Walker tha se është gjithnjë e më e qartë nga literatura mjekësore se nuk ka asnjë ind të vetëm në trup që të mos ndikohet në mënyrë të dobishme nga gjumi. Është gjëja e vetme më efektive që njerëzit mund të bëjnë çdo ditë për të rivendosur shëndetin e trurit dhe trupit të tyre.