Rëndësia e detit për shëndetin tonë

Shëndetësi

“Tingulli qetësues i detit, aroma e jodit, zhurma e dallgëve të japin një paqe të brendshme, e cila është pilula më e mirë për shëndetin tonë të brendshëm. Dhe shëndeti ynë i brendshëm ndikon drejtpërdejt në gjendjen tonë fizike.” 

Besohet gjerësisht se deti ka shumë përfitime shëndetësore, por studiuesit thonë se ka mungesë të të dhënave konkrete. Kështu, një ekip mjekësh dhe studiuesish nga qyteti Roses, në Spanjën verilindore, ftuan 24 pacientë onkologjikë që të merrnin pjesë në disa aktivitete bregdetare gjatë dy viteve dhe monitoruan nga afër efektet.

Megjithëse këto aktivitete nuk mund të zëvendësojnë terapinë mjekësore, u tregua se ato kanë efekte të matshme pozitive në mirëqenien emocionale të pacientëve. Studiuesit mblodhën të dhëna përmes pyetësorëve dhe monitoruan treguesit kryesorë të shëndetit nëpërmjet orëve inteligjente.

Deti është një farmaci e vogël por duhet të dini se si ta përdorni 

Maria Palou

Një projekt në Spanjë kreu një studim me synimin për të hedhur themelet për krijimin e një ‘Recete Blu’, e ngjashme me të ashtuquajturat ‘Receta të Gjelbra’ që po zhvillohen në vende si Skocia.

“Sa herë që fillojmë ndonjë aktivitet, qoftë një shëtitje buzë detit apo not, ne kontrollojmë rrahjet e zemrës dhe ngopjen e trupit me oksigjen…” tha pjesëmarrësja e studimit dhe pacientja onkologjike, Eliana Guerrero.

“Është diçka që të jep shumë endorfinë, shumë energji. Deti është një farmaci e vogël që duhet të dish ta përdorësh,” shpjegoi bashkëpjesëmarrësja, Maria Palou.

Prandaj, studiuesit sugjerojnë integrimin e “hapësirave blu” në programet e recetave sociale që lidhin pacientët me shërbimet dhe burimet komunitare: mjekët e familjes mund të përshkruajnë aktivitete të tilla për pacientët e tyre, si pjesë e planit të tyre të trajtimit.

“Ndonjëherë gjejmë aktivitetet shoqërore në ajër të pastër, në natyrë, në det, janë shumë më të dobishme sesa ilaçet”, tha Dr Eva Fontdecaba, një mjeke familjare në Institutin Shëndetësor Katalanas.

Një bashkëpunim midis shkencëtarëve, mjekëve, një fondacioni për kancerin dhe autoriteteve lokale po kontribuon në një zonë kërkimore në rritje që eksploron mënyrat e shumta në të cilat deti ndikon në shëndetin dhe mirëqenien tonë, nga ushqimi që hamë deri te ajri që thithim.

Por këto përfitime mbështeten në shëndetin e vetë detit. Nëse habitatet natyrore dhe ekosistemet nuk ruhen, përfitimet për shëndetin e njeriut mund të humbasin. Ndotja në ujërat bregdetare ndonjëherë mund t’i kthejë përfitimet shëndetësore të detit në rreziqe.

Hulumtimet në të gjithë Evropën nxjerrin në pah lidhjen thelbësore midis oqeanit dhe shëndetit të njeriut: detet e lulëzuara mund të përmirësojnë mirëqenien tonë fizike dhe mendore, por kur oqeanet vuajnë, vuajmë edhe ne.

euronews