E vërteta rreth ngrënies së vezëve

Shëndetësi

A janë vezët të dobishme për shëndetin tonë… apo shkaktarë të sëmundjeve të zemrës? 

Nëse do të kishte diçka të tillë si një ushqim i përsosur, vezët do të ishin padyshim një konkurrent. Ato janë të lehta për t’u gatuar dhe të mbushura plot me proteina dhe lëndë ushyese. 

Gjithashtu, ngrënia e vezëve së bashku me ushqime të tjera mund të ndihmojë trupin tonë të thithë më shumë vitamina. Për shembull, një studim zbuloi se shtimi i një veze në sallatë mund të rrisë sasinë e vitaminës E që marrim nga sallata.

Por për dekada, ngrënia e vezëve ka qenë gjithashtu e diskutueshme për shkak të përmbajtjes së lartë të kolesterolit – të cilin disa studime e kanë lidhur me një rrezik në rritje të sëmundjeve të zemrës. Një e verdhë veze përmban rreth 185 miligramë kolesterol, që është më shumë se gjysma e sasisë ditore prej 300 mg të kolesterolit që udhëzimet dietike amerikane rekomandonin deri vonë.

A do të thotë kjo që vezët në vend që të jenë një ushqim ideal mund të na bëjnë dëm?

Kolesteroli, një yndyrë e verdhë e prodhuar në mëlçi dhe zorrët tona, mund të gjendet në çdo qelizë të trupit. Ne zakonisht e mendojmë atë si “të keqe”. Por kolesteroli është një bllok themelor ndërtues në membranat tona qelizore. Gjithashtu është e nevojshme që trupi të prodhojë vitaminë D, dhe hormonet si testosteroni dhe estrogjeni.

Trupi ynë e prodhon vetë të gjithë kolesterolin që i nevojitet, por ai gjendet gjithashtu në produktet shtazore që konsumojmë, duke përfshirë mishin e viçit, karkalecat dhe vezët, si dhe djathin e gjalpin.

Kolesteroli transportohet nëpër trupin tonë nga molekulat e lipoproteinave në gjak. Çdo person ka një kombinim të ndryshëm të llojeve të ndryshme të lipoproteinave, dhe përbërja jonë individuale luan një rol në përcaktimin e rrezikut për të zhvilluar sëmundje të zemrës.

Kolesteroli i lipoproteinës me densitet të ulët (LDL) – i referuar si kolesteroli “i keq” – transportohet nga mëlçia në arteriet dhe indet e trupit. Studiuesit thonë se kjo mund të rezultojë në një grumbullim të kolesterolit në enët e gjakut dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Por studiuesit nuk e kanë lidhur përfundimisht konsumin e kolesterolit me një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare. Si rezultat, udhëzimet dietike amerikane nuk kanë më një kufizim të kolesterolit; as Britania e Madhe. Në vend të kësaj, theksi vihet në kufizimin e sasisë së yndyrës së ngopur që konsumojmë, gjë që mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare. Ushqimet që përmbajnë yndyrna të ngopura, në veçanti, rrisin nivelet tona të LDL. Edhe pse disa yndyrna të ngopura gjenden natyrshëm në produktet shtazore, shumica janë bërë artificialisht dhe gjenden në nivele të larta te margarina, fast food dhe disa ushqime të skuqura ose të pjekura, të tilla si pasta, donuts dhe ëmbëlsira.

Ndërkohë, vezët janë i vetmi ushqim me përmbajtje të lartë kolesteroli dhe me pak yndyra të ngopura.

Ndërsa kolesteroli në vezë është shumë më i lartë se në mish dhe produkte të tjera shtazore, yndyrat e ngopura rritin kolesterolin në gjak. Kjo është demonstruar nga shumë studime për shumë vite. Hulumtimi i fundit nuk gjeti asnjë lidhje midis ngrënies së vezëve dhe rritjes së rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare.

Veza mund ta mbrojë trupin tonë në shumë mënyra. Psh një përbërjeje në vezë e quajtur kolinë, mund të na ndihmojë e të na mbrojë kundër sëmundjes së Alzheimerit. Gjithashtu mbron mëlçinë. Të verdhat e vezëve janë një nga burimet më të mira të luteinës, një pigment që lidhet me shikim më të mirë dhe rrezikun më të ulët të sëmundjeve të syrit.

Ndërsa studiuesit janë shumë larg nga të kuptuarit pse vezët na ndikojnë ndryshe, shumica dërrmuese e hulumtimeve të fundit sugjerojnë se ato nuk paraqesin asnjë rrezik për shëndetin tonë dhe kanë shumë më shumë gjasa të ofrojnë përfitime shëndetësore.

Megjithatë, ngrënia e vezëve për mëngjes çdo ditë ndoshta nuk është as opsioni më i shëndetshëm – të paktën siç rekomandohet, ne duhet të kemi një dietë të larmishme… në vend që t’i vendosim të gjitha vezët në një shportë.