A po na bën ndotja e ajrit të humbasim shqisën e nuhatjes?

Shëndetësi

Për shumë nga ne, periudha e Covid-19 na bëri të kuptojmë se si është të humbasësh shqisën e nuhatjes. E njohur si “anosmia”, humbja e nuhatjes mund të ketë një efekt thelbësor në mirëqenien tonë të përgjithshme dhe cilësinë e jetës. Por ndërsa një infeksion i papritur i frymëmarrjes mund të çojë në një humbje të përkohshme të kësaj shqise, ndjenja jonë e nuhatjes mund të zhduket plotësisht në mënyrë graduale për shkak të diçkaje tjetër – ndotjes së ajrit.

Ekspozimi ndaj PM2.5 – emri kolektiv për grimcat e vogla të ndotjes së ajrit, kryesisht nga djegia e karburanteve të automjeteve apo termocentraleve – ka qenë edhe më parë i lidhur me “mosfunksionimin e nuhatjes”, por zakonisht vetëm në mjedise profesionale ose industriale. Por kërkimet e reja tani kanë filluar të zbulojnë shkallën e vërtetë dhe dëmin e mundshëm të shkaktuar nga ndotja që ne thithim çdo ditë. Këto zbulime kanë rëndësi për të gjithë ne.

Në pjesën e poshtme të trurit tonë, pikërisht mbi zgavrat tona të hundës, shtrihet pjesa përgjegjëse për nuhatjen. Kjo pjesë e ndjeshme e indeve është thelbësore për pamjen jashtëzakonisht të larmishme të botës që marrim nga shqisa jonë e nuhatjes. Është gjithashtu linja jonë e parë e mbrojtjes kundër viruseve dhe ndotësve që hyjnë në tru. Por, me ekspozim të përsëritur ndaj ndotësve, këto mbrojtje ngadalë konsumohen.

Të dhënat tregojnë se ka një rritje prej 1.6 deri në 1.7 herë të rrezikut për zhvillimin e anosmisë. Në përqindje, kjo është një rritje prej 160% deri në 170%. Edhe rritjet e vogla të ekspozimit ndaj PM2.5 të ambientit mund të shoqërohen me anosmi. 

Por saktësisht si po e shkatërron ndotja aftësinë tonë për të nuhatur?

Ka dy rrugë të mundshme. Njëra është se disa nga grimcat e ndotjes po futen direkt në tru, duke shkaktuar inflamacion. 

Në vitin 2016, një ekip studiuesish britanikë gjetën grimca të vogla metalike në indet e trurit të njeriut. Barbara Maher, një profesoreshë e shkencës mjedisore në Universitetin Lancaster në Mbretërinë e Bashkuar, e cila udhëhoqi studimin, tha në atë kohë se grimcat ishin “çuditërisht të ngjashme” me ato të gjetura në ndotjen e ajrit. Studimi i Maher sugjeron që këto grimca metalike në shkallë nano, pasi të hyjnë në tru, mund të bëhen toksike, duke kontribuar në dëmtimin oksidativ të trurit që dëmton rrugët nervore, megjithëse mbetet ende një teori.

Rruga tjetër e mundshme mund të mos kërkojë që grimcat e ndotjes të futen në tru. Duke goditur pjesën përgjegjëse të nuhatjes pothuajse çdo ditë, ato shkaktojnë inflamacion dhe dëmtim të drejtpërdrejtë të nervave, duke i konsumuar ato ngadalë. 

Prandaj, çuditërisht, anosmia prek në mënyrë disproporcionale njerëzit e moshuar, hundët e të cilëve janë sulmuar nga ndotja e ajrit për një kohë më të gjatë. Studimet sugjerojnë se edhe nivelet e ulëta të ndotjes së ajrit mund të shkaktojnë probleme për periudha të gjata kohore.

Në vitin 2021, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ndryshoi udhëzimet e saj të bazuara në shëndetin për një ekspozim mesatar vjetor maksimal ndaj PM2.5, duke e reduktuar atë nga 10 në 5 mikrogramë për metër kub (μg/m3). Stokholmi, kryeqyteti i Suedisë, është një nga qytetet e pakta të mëdha në botë që arrin të qëndrojë nën këtë nivel me një mesatare vjetore prej 4.2 µg/m3. Për krahasim, Islamabad, në Pakistan, ka një nivel mesatar vjetor PM2.5 prej 41.1 µg/m3 ndërsa është 42.3 µg/m3 në Bloemfontein, Afrika e Jugut.

Kjo pa dyshim i bën gjetjet e Stokholmit edhe më të rëndësishme – nëse edhe banorët e Stokholmit kanë probleme me shqisën e nuhatjes pavarësisht nga nivelet e ulëta të ndotjes, atëherë imagjinoni sa keq janë rajonet me nivele të larta.

Ndotja e ajrit dihet se shkakton një të katërtën e të gjitha vdekjeve nga sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, dhe gati gjysmën e të gjitha vdekjeve nga sëmundjet e mushkërive.

Humbja e nuhatjes lidhet me rritjen e gjasave për depresion dhe ankth në studime të ndryshme dhe dihet se luan një rol në obezitetin, humbjen e peshës, kequshqyerjen dhe rastet e helmimit nga ushqimi. Arsyet janë të qarta – hundët tona luajnë një rol kyç në përvojën tonë për botën rreth nesh.

Një ndjenjë e dobët e nuhatjes mund të nënkuptojë se të sëmurët ka të ngjarë të kërkojnë ushqim me shije më të fortë, i cili shpesh është i kripur dhe yndyror. Në të kundërt, një humbje totale e nuhatjes mund t’i largojë njerëzit nga ushqimi dhe t’i bëjë ata të humbasin kënaqësinë që marrin prej tij, duke shkaktuar rënie të ndjeshme në peshë deri në anoreksi.

Cilësia e ajrit ka rëndësi më të madhe nga ç’mendojmë ne të gjithë.

Lufta me ndotjen e ajrit nuk është e thjeshtë. Shumë ngjarje ndikojnë në të. Por të gjithë ne duhet të bëjmë pjesën tonë duke filluar me ndotjet e vogla të ajrit që i shkaktojmë vetë të cilat ndikojnë në cilësinë e përgjithshme të tij.

BBC