Si do e transformojë Inteligjenca Artificiale procesin e menaxhimit të projekteve

Teknologji

Çdo vit, rreth 48 trilion dollarë investohen në projekte të ndryshme. Megjithatë, vetëm 35% e projekteve konsiderohen të suksesshme. 

Një arsye se përse nivelet e suksesit të realizimit të projekteve janë kaq të ulëta është niveli i ulët i teknologjive të disponueshme për menaxhimin e tyre. Shumica e organizatave dhe drejtuesve të projekteve janë ende duke përdorur fletëllogaritëse, slajde dhe aplikacione të tjera që nuk kanë evoluar shumë gjatë dekadave të fundit. Këto janë në rregull kur matni suksesin e projektit me dorëzimet dhe afatet e përmbushura, por ato janë të mangëta në një mjedis ku projektet dhe iniciativat janë gjithmonë duke ndryshuar. 

Nëse aplikimi i inteligjencës artificiale dhe inovacioneve të tjera teknologjike në menaxhimin e projekteve mund të përmirësojë raportin e suksesit të projekteve me vetëm 25%, kjo gjë do të barazohej me triliona dollarë vlerë dhe përfitime për organizatat, shoqëritë dhe individët. 

Parashikohet që deri në vitin 2030, 80% e detyrave të menaxhimit të projektit do të drejtohen nga AI (Inteligjenca Artificiale), i mundësuar nga të dhënat e mëdha(Big Data), mësimi i makinerive (ML) dhe përpunimi i gjuhës natyrore. 

Kur kjo gjeneratë e ardhshme mjetesh të miratohet gjerësisht, do të sjellë me vete ndryshime rrënjësore në menaxhimin e projekteve, të tilla si:

  • Përmirësim në fushëveprimin e projektit duke automatizuar mbledhjen dhe analizën. Këto mjete do të zbulojnë probleme të mundshme siç janë paqartësitë, dublikatat, mospërputhjet dhe kompleksitetet e një projekti.
  • Mjete për të lehtësuar proceset e planifikimit dhe hartimit të planeve të detajuara.
  • Raportim të automatizuar që jo vetëm do të prodhohet me më pak punë, por do të zëvendësojë raportet e sotme. Këto mjete gjithashtu do të shfaqin edhe informacione të tilla si: statusin e projektit, përfitimet e arritura, gabimet e mundshme dhe punën e ekipit në një mënyrë të qartë dhe objektive.

Teknologji të reja si ChatGPT mund të analizojnë grupe masive të dhënash dhe të gjenerojnë njohuri të reja dhe të menjëhershme në një tekst të thjeshtë. Në menaxhimin e projektit, mjete si këto do të fuqizojnë “asistentët virtualë”. Oracle njoftoi së fundmi një asistent të ri dixhital të menaxhimit të projektit, i cili ofron përditësime të menjëhershme të statusit dhe i ndihmon përdoruesit të përditësojnë kohën dhe përparimin që kanë bërë në detyrat përkatëse.

PMOtto është një asistent projekti virtual i aktivizuar me ML që është tashmë në përdorim. Një përdorues mund t’i kërkojë PMOtto-s “Planifikoni që Xhoni të lyejë murin brenda javës së ardhshme”. Asistenti mund të përgjigjet: “Bazuar në detyrat e mëparshme të ngjashme që i janë caktuar Xhonit, duket se atij do t’i duhen dy javë për të kryer punën dhe jo një javë siç kërkuat. A duhet ta rregulloj?”

Testimi është një detyrë tjetër thelbësore për projektet. Është e rrallë sot të gjesh një projekt madhor pa sisteme dhe lloje të shumta softuerësh që duhet të testohen përpara se projekti të fillojë të funksionojë. Së shpejti, sistemet e avancuara të testimit që tani janë të realizueshme vetëm për megaprojekte të caktuara do të bëhen gjerësisht të disponueshme.

Zgjidhjet e avancuara dhe të automatizuara të testimit të sistemit për projektet softuerike së shpejti do të lejojnë zbulimin e hershëm të defekteve dhe proceseve vetë-korrigjuese. Kjo do të reduktojë ndjeshëm kohën e shpenzuar në aktivitete të vështira testimi, do të zvogëlojë numrin e ripërpunimeve dhe në fund të fundit, do të japë zgjidhje të lehta dhe pa gabime.

Për shumë menaxherë projektesh, automatizimi i një pjese të konsiderueshme të detyrave të tyre aktuale mund të duket i frikshëm, por ata shumë shpejt do të mësojnë t’i përdorin këto mjete në avantazhin e tyre. Aktualisht mendojmë për ekipet e projektit ndërfunksional si një grup individësh, por së shpejti mund t’i mendojmë ata si një grup njerëzish dhe robotësh.

Me një zhvendosje nga puna administrative, menaxheri i projektit të së ardhmes do të duhet të kultivojë aftësi të tilla si: aftësia udhëheqëse, të menduarit strategjik dhe mendjemprehtësi biznesi.  Ata gjithashtu do të kenë nevojë për një kuptim të mirë të këtyre teknologjive. Disa organizata tashmë po fusin AI në programet e tyre të edukimit dhe certifikimit rreth menaxhimit të projekteve, dhe Northeastern University po përfshin AI në kurrikulën e tij, duke u mësuar menaxherëve të projekteve se si të përdorin AI për të automatizuar dhe përmirësuar grupet e të dhënave dhe për të optimizuar vlerën e investimit.

Ky brez i ri mjetesh jo vetëm që do të ndryshojë mënyrën sesi menaxhojmë projektet, por do të ndryshojë tërësisht punën tonë në projekt. Menaxherët e projektit duhet të jenë të përgatitur për të trajnuar ekipet e tyre për t’u përshtatur me këtë tranzicion. Përveç fokusimit në rezultatet e projektit, ata duhet të fokusohen në krijimin e ekipeve me performancë të lartë, në të cilat anëtarët marrin atë që është e nevojshme për t’i lejuar ata të performojnë sa më mirë.