Italia bllokon ChatGPT

Teknologji

Mbikëqyrësi i mbrojtjes së të dhënave të Italisë të premten bllokoi në mënyrë të menjëhershme aksesin në chatbotin popullor të inteligjencës artificiale të OpenAI, ChatGPT, duke përmendur shkeljet e supozuara të privatësisë.

Në një deklaratë, Autoriteti Kombëtar Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale tha se ChatGPT kishte “bërë një shkelje të të dhënave më 20 mars në lidhje me bisedat e përdoruesve dhe informacionin e pagesave të abonentëve në shërbimin me pagesë”.

Vendimi, i cili hyn në “efekt të menjëhershëm”, do të rezultojë në “kufizimin e përkohshëm të përpunimit të të dhënave të përdoruesve italianë përballë [krijuesit të ChatGPT] OpenAI”, tha mbikëqyrësi.

ChatGPT u lançua në nëntor 2022 dhe që atëherë është bërë jashtëzakonisht popullor, duke i impresionuar përdoruesit me aftësinë e tij për të shpjeguar gjërat komplekse qartë dhe shkurt, të shkruajë në stile dhe gjuhë të ndryshme me një ton njerëzor, të krijojë poezi dhe madje të kalojë provimet.

ChatGPT mund të përdoret gjithashtu për të shkruar kodin kompjuterik, pa pasur njohuri teknike.

Rregullatori italian i të dhënave, megjithatë, kritikoi ChatGPT për mosdhënien informacionit për përdoruesit, të dhënat e të cilëve mblidhen nga OpenAI. Ai gjithashtu u kritikua për “mungesën e një baze ligjore që justifikonte mbledhjen dhe ruajtjen masive të të dhënave personale me qëllimin e ‘trajnimit’ të algoritmeve që drejtojnë platformën”.

Gjithashtu, ndërsa roboti është i destinuar për personat mbi 13 vjeç, “Autoriteti thekson se mungesa e ndonjë filtri për të verifikuar moshën e përdoruesve i ekspozon të miturit ndaj përgjigjeve që sjanë në përputhje me nivelin e tyre të zhvillimit”.

Mbikëqyrësi tani po i kërkon OpenAI-t të “komunikojë brenda 20 ditëve masat e marra” për të korrigjuar këtë situatë – ose rrezikon një gjobë deri në 4 për qind të xhiros së saj vjetore në mbarë botën.

Njoftimi vjen pasi agjencia evropiane e policisë Europol paralajmëroi të hënën se kriminelët ishin gati të përfitonin nga chatbot-et e AI si ChatGPT për të kryer mashtrime dhe krime të tjera kibernetike.

Elon Musk dhe qindra ekspertë globalë paralajmëruan gjithashtu këtë javë se sistemet e AI paraqesin “rreziqe të thella për shoqërinë dhe njerëzimin” dhe u bënë thirrje kompanive të ndalojnë zhvillimin e mëtejshëm të teknologjisë për të paktën gjashtë muaj.

euronews