Paris, Texas

Filma

Viti: 1984
Kohëzgjatja: 2 orë 25 minuta
🎬 Regjizori: Wim Wenders

Një burrë.
Një plak me mjekër të gërvishtur, me sy të gjerë dhe buzë të shtrënguara.
Ai mban veshur një xhaketë të vjetër, të pisët, xhinse të gjera dhe një kapele të kuqe bejsbolli.
Ai endet në peisazhin shterp të Teksasit me asgjë tjetër me vete përveç një kanaçeje uji. Askush nuk e di se nga vjen dhe ku po shkon. As ai.
Duket i lodhur, i dobët dhe i uritur.
Por ai vazhdon.
Ai largohet nga diçka që ka bërë. Largohet nga ai që ishte dikur. Largohet nga personi që u zotua të mos ishte kurrë.
Por ai do ta vazhdojë rrugën, deri aty ku mund të pushojë. Aty ku mund të gjejë paqen. Aty ku mund të ndihet sërish i plotë.
Në atë vend pa rrugë…
Diku. Dikush.

I shpallur shpesh si filmi më amerikan i realizuar nga një joamerikan, “Paris, Texas” është një mozaik melankolik i marrëdhënieve, prindërimit dhe dashurisë. Wim Wenders ka bërë një film thellësisht prekës. Një kënaqësi kaleidoskopike për sytë dhe e luajtur me mjaft mjeshtëri nga aktorët, ky film është një përvojë që të gjithë e kemi provuar në jetën tonë.

Aspekti më i admirueshëm i filmit është struktura e tij, e cila është e ndarë në kapituj.

I. Kapitulli i parë hapet me pasojat e harresës personale, të arratisjes nga jeta për të cilën kemi nënshkruar dikur një kontratë të nënkuptuar emocionale për t’u kujdesur, vetëm për të gjetur më pas boshllëkun e brendshëm dhe ndoshta humbjen e identitetit personal, që është rasti i Travis. Udhëtimi i kthimit në botën e lënë pas fillon, por me një heshtje të vështirë për t’u thyer.
II. Kapitulli i dytë ju prezanton me procesin e ripërshtatjes së protagonistit me njerëzit që morën pjesë në të kaluarën dhe kujtimet e tij.
III. Kapitulli i tretë fillon me një rrugëtim alternativ të domosdoshëm kërkimi për çelësin e humbur në familjen tashmë të shkatërruar.
IV. Kapitulli i katërt përmban mesazhin përkatës me vlerë universale, nga Parisi në Teksas, që përcakton gjendjen tonë shumë njerëzore, si qenie në nevojë për dashuri dhe pranim. Dhimbjet nuk mund të mbahen brenda vetes përgjithmonë; herët a vonë ato duhet të gjejnë një mënyrë për të ikur nga zemrat dhe mendjet tona.

Gjëja më unike e filmit është: personazhi i Travis vepron ndryshe në çdo kapitull, duke treguar një evolucion të vërtetë emocional.

Performanca e Harry Dean Stanton është e jashtëzakonshme. Është mbresëlënës fakti se si ai mund të përcjellë emocionet më të thjeshta me lëvizjen më të vogël. Travis është një personazh, sjellja e heshtur e të cilit fillon të bjerë ndërsa filmi përparon. Fytyra e tij e rrudhur dhe sytë e zhytur së bashku me ecjet e tij të ngadalta e bëjnë atë një enigmë që pret të zbulohet. Është një personazh i afërt me të cilin ne qeshim dhe qajmë. Natassja Kinski është e shkëlqyer në rolin e Jane, gruas së larguar të Travis. Buzëqeshja e saj dhe personaliteti karizmatik janë kaq të bukura për t’u parë.

Kinematografia e këtij filmi është e pakrahasueshme. Skenari është i shtresuar, i mbushur me një humor prekës.

Një çift i dehur nga dashuria që nuk mund të qëndrojnë pa njëri-tjetrin, jeta e tyre del jashtë kontrollit dhe më pas vjen ndarja, dhe ikja. Travis, i rënduar nga dhimbja endet nëpër botë duke kërkuar atë vend pa rrugë që të mund të jetë përsëri i plotë. Është dënimi i tij dhe ai është i gatshëm ta marrë atë. Por ritakimi me gruan në klubin ku ajo punonte ndryshon gjithcka në jetën e tij. Një ritakim që krijon një nga skenat më ikonike në historinë e kinemasë.

“Paris, Texas” qëndron si një kujtesë e dhimbshme e pranimit të së kaluarës. Njeriu duhet të korrigjojë veprimet e gabuara të së kaluarës së tij nëse dëshiron të ecë përpara në jetë, një proces nëpër të cilin Travis kalon për të gjetur gruan dhe për t’u rilidhur me djalin e tij.

Padyshim, një nga filmat më të mirë të viteve 80’.