Një serial kryevepër i nënvlerësuar i HBO-së

Filma

“Six Feet Under”, një serial i realizuar nga HBO në fillim të viteve 2000, bazohet në të vërtetën e trishtë por të pamohueshme se “jeta dhe vdekja janë një dhe të pandashme nga njëra-tjetra”.

I nënvlerësuar dhe shumë pak i njohur nga masa, Six Feet Under trajton dhe prek temat delikate të jetës, marrëdhëniet njerëzore, dhimbjen, zhgënjimin, dashurinë. Një dramë me nota humori, në qëndër të së cilës vendoset familja Fisher, e cila drejton një biznes familjar funeralesh. Pas vdekjes së babait, fëmijët e tij (Claire, Nathaniel, Dave) dhe nëna e tyre (Ruth) marrin përsipër drejtimin e biznesit dhe nga këtu zhvillohet historia e tyre përgjatë 5 sezoneve.

Po të lëmë mënjanë karakteristikat e veçanta të çdo qenieje njerëzore, të gjithë njerëzit ndahen në 5 tipe dhe për pasojë secili nga ne e gjen veten te njëri nga personazhet, e shpeshherë edhe te disa prej tyre. Ndonjëherë ndihesh si Claire, ndonjëherë si Dave apo Nathaniel dhe të ndodh shpesh të thuash: po, është fiks si unë.

E veçanta e Six Feet Under qëndron në faktin që nuk idealizon asgjë por i paraqet ngjarjet dhe njerëzit me gjithë kompleksitetin që i karakterizon, frikërat, mendimet e errëta, ëndrrat, shpresat, dashurinë dhe urrejtjen.

Është ballafaqimi i së rëndomtës me çmendurinë, i jetës së zakonshme dhe i marrëdhënieve jofunksionale, i laikes dhe së shenjtës, që i jep fuqi këtij seriali.

Çdo episod fillon me një vdekje, zakonisht të një jete të ndërprerë nga një aksident. Vdekja e parë është ajo e plakut Fisher, pronarit dhe drejtuesit të shtëpisë funerale. Ai do të ndjekë pjesën tjetër të serialit si një prani fantazmë në kujtesën e vejushës dhe tre fëmijëve të tij dhe si një projeksion i përsiatjeve dhe shqetësimeve të tyre aktuale. Mënyra e vdekjes që nis në fillim të çdo episodi dhe jeta e viktimës apo marrëdhëniet e tij me familjarët që lë pas vendosin temën dhe sfondin në të cilin do të zhvillohet ai episod.

Mund të them që është i errët, në pjesën më të madhe të tij. Të krijon një lëmsh emocionesh dhe shpeshherë edhe trazime. Ka skena të forta dhune apo seksi, dhe në çdo episod, cilado qoftë tema apo ndodhia, vdekja është gjithmonë e pranishme.

Por finalja e këtij seriali është ndër finalet më të mira të shkruara ndonjëherë në historinë e Kinematografisë.
Duke parë finalen e Six Feet Under, u ndjeva e gjallë – thellësisht e gjallë –si Claire duke udhëtuar me makinë në autostradë, me erën që i përkedhelte flokët dhe lotët që lagnin faqet e saj teksa nisej drejt një jete të re. Jeta mund të na lëndojë, por di edhe se si të na shërojë. Më bëri të doja të takoja njerëzit në jetën time dhe t’u tregoja se si ndihesha, sepse nëse seriali më mësoi diçka, është se jeta është shumë e shkurtër dhe koha që kalon me ata që do është e shenjtë.

Six Feet Under është një serial që duhet parë në një fazë të caktuar të jetës, kur ke humbur rrugën, kur je në udhëkryq apo kur ndihesh si i ngërthyer nën një mjegull të dendur. Nëse e sheh në momentin e duhur do të të godasë fort në çdo mënyrë. Dhe në fund do ndihesh më i qartë dhe një hap më pranë kuptimit të jetës dhe asaj se çfarë do të thotë të jesh njeri.

Jeta është kaq e shkurtër e kaq e komplikuar dhe e thjeshtë në të njëjtën kohë. Asgjë nuk vlen më tepër se fakti që je gjallë dhe po jeton, dhe ti je absolutisht zot i jetës tënde, mund të bësh dhe mund të jesh çfarëdo që ti dëshiron.