Le Grand Bleu (The Big Blue)

Filma

Regjizor: Luc Besson
Kohëzgjatja: 2h 48m
Zhanri: Aventurë, Dramë, Sport

Le Grand Bleu (The Big Blue) është një film që flet për thellësitë dhe bukurinë mahnitëse te oqeanit. Është gjithashtu një fim që flet për sportin e zhytjes, rivalitetin, miqësinë dhe dashurinë.
Filmi nis në fëmijërinë e hershme të dy personazheve kryesorë, Zhak dhe Enzo, duke përdorur efektet bardhë e zi për të treguar se ngjarjet ndodhin në të kaluarën. Dashuria e tyre per botën ujore pasqyrohet që në hapje te filmit. Pastaj ekrani ngjyroset kur personazhet janë tashmë të rritur dhe zhytës profesionistë.

Nga një adoleshent ëndërrimtar, Zhak është shndërruar në një burrë të vetmuar, i kapur mes soliditetit të botës reale dhe thirrjes shpirtërore të oqeanit—dhe veçanërisht delfinëve. Ai zotëron një lidhje unike me detin, aftësinë për të ngadalësuar rrahjet e zemrës dhe qarkullimin e gjakut gjatë zhytjes në thellësitë e oqeanit, një fenomen i vërejtur më parë vetëm te balenat dhe delfinët. Enzo, nga ana tjetër, është bërë Kampion Bote në sportin e zhytjes me një qasje shumë të ndryshme.

Filmi ndjek rivalitetin mes tyre, i cili rindizet dhe merr formë në kampionation e zhytjeve në Sicili. Por gjithashtu ai zhvillohet dhe në një linjë tjetër, atë të dashurisë mes Joanës dhe Zhak, e cila nis e sforcuar, dhe kurrë nuk arrin të kapërcejë përmasat e dashurisë qe Zhak kishte për oqeanin, zhytjen apo delfinët. Kjo është e vetmja linjë e filmit që duket e pakuptimtë. Por mbase personazhi i Joanës vendoset nga regjizori me qëllimin për të treguar dhe përforcuar faktin që asgjë nuk ishte më e madhe dhe më e rëndësishme për Zhakun sesa pasioni i tij për blunë e thellësive. Gjithsesi, ky mbetet një mendim subjektiv.

Përjetimet e filmave janë të ndryshme për çdokënd, por parë nga ana ime, “The Big Blue” më jep një ndjesi të ngrohtë. Edhe pse është thellësisht i trishtuar, gjej një ndjenjë paradoksale rehatie.

Ështe i bukur vizualisht, dhe muzika e përzgjedhur është fantastike. Të con në një udhëtim drejt botës nënujore. Ngjyrat e Italisë së jugut, tavernat buzë detit, rrobat e lehta verore, rrugicat karakteristike, bluja e qiellit dhe bluja e detit të bëjnë nostalgjik për një kohë dhe një vend ku nuk ke qenë kurrë por gjithashtu edhe për kujtimet më të bukura të çdo vere të jetës tënde.

Nëse po kërkoni diçka të bukur vizualisht apo një dramë poetike, atëherë “The Big Blue” është filmi i duhur për ju.