Groundhog Day

Filma

Viti: 1993
Kohëzgjatja: 1 orë e 36 min
Zhanri: Komedi
🎬 Regjizori: Harold Ramis

“Groundhog Day” është një klasik i përjetshëm që eksploron temat e rritjes dhe kërkimit të kuptimit në jetë. Me Bill Murray në rolin e Phil Connors, një meteorolog që e gjen veten duke jetuar të njëjtën ditë vazhdimisht, filmi është një meditim gazmor dhe prekës mbi përvojën njerëzore.

Ky është një nga ata filma të rrallë të pëlqyer botërisht që në fakt e meriton vërtetë reputacionin që ka. Është komik dhe plot ironi, nuk të mërzitet kurrë, sado shpesh ta shohësh.

Të flasësh për temat e filmit pa tingëlluar klishe të pashpresë është vërtet e vështirë, por Groundhog Day e vë theksin te pranimi dhe dashuria për jetën, pavarësisht se sa e vogël apo e kufizuar mund të duket ajo. Ndonjëherë edhe gjërat e vogla si të qenit i sjellshëm me njerëzit e tjerë, mund të jenë të mjaftueshme për t’i dhënë kuptim jetës tuaj.

Më pëlqen sesi evolucioni i personazhit kryesor është goxha gradual: ai fillon me nihilizëm dhe aventurizëm seksual, shkon drejt joshjes rrëqethëse, pastaj në harresë të vetvetes dhe gradualisht shfaqet me një lloj bujarie natyrore, humane. Ai kalon nëpër sipërfaqësoren, materialen, dhe kryen pothuajse çdo gabim dhe mëkat që është i mundur. Më pëlqen që gjatë gjithë filmit, në çdo fazë, ai është duke menduar për gjendjen e tij të vështirë dhe mënyrat sesi mund të dalë prej saj.

Në fund, pas çdo përpjekje që ka bërë për t’u kthyer në normalitet dhe për të dalë nga cikli i përjetimit të së njëjtës ditë, Phil vendos të lexojë dashurinë, ai arrin vetënjohjen dhe mund të angazhohet me njerëz të tjerë në një nivel më të pjekur, njerëzor.

Koha është gjëja më e vlefshme që kemi, por si e përdorim ne atë dhe a e vlerësojmë vërtetë?

Të gjithë elementët e filmit janë aq të ndërlikuar dhe të lidhur ngushtë, saqë me çdo rishikim jo vetëm që vërej diçka të re, por edhe diçka që më thellon në botën e filmit dhe mesazhin e tij të përgjithshëm.

Kinematografia është e bukur. Regjia e Harold Ramis është e shkëlqyer, ritmi rrallëherë ngec dhe aktrimi është gjithashtu i mrekullueshëm, dhe padyshim një nga asetet më të mira të këtij filmi. Bill Murray jep një nga performancat më të mira të karrierës së tij.

Udhëtimi i Phil është bërë një shëmbëlltyrë për epokën tonë materialiste; ai mishëron rrugën drejt të qenit një njeri më i mirë.