Chungking Express

Filma

Viti: 1994
Kohëzgjatja: 1 orë 42 minuta
Vendi i origjinës: Hong Kong
Regjisori: Wong Kar-Wai

Chungking Express është lloji i filmit me të cilin do të lidheni nëse jeni vërtet të apasionuar pas kinematografisë, në vend të aspekteve të tij sipërfaqësore si romancat dhe yjet.

Filmi na tregon dy histori, disi të ngjashme, por që nuk kanë lidhje të dukshme. Ai i vendos historitë në botën e larmishme te Hong Kongut, mes restoranteve të ushqimit të shpejtë, qendrave tregtare, klubeve të natës, shesheve të betonit dhe kulturës pop (një nga heroinat e tij mban një parukë bionde dhe syze të errëta, dhe tjetra na paraqitet nën tingujt e këngës “California Dreamin”), mes imazheve te një prej qyteteve më kozmopolite në planet, ku dritat nuk fiken kurrë dhe lëvizja është pothuajse e pashtershme.

Të dyja këto histori kanë në thelb vetminë dhe të qenit vetëm në nje qytet të madh dhe të zhurmshëm, të fotografuara në stilin e një videoklipi, të kryqëzuara me tabela, slogane, muzikë dhe dialogje e situata të improvizuara. Ajo që ndodh me personazhin nuk është në të vërtetë thelbi; filmi ka të bëjë me udhëtimet, jo me destinacionet e tyre.

Në nisje të tij, ne takojmë një polic të quajtur Takeshi Kaneshiro, i cili endet në qytetin e natës, i vetmuar dhe me zemër të thyer nga vajza që dashuronte. Ai i jep vetes 30 ditë kohë për të gjetur një vajzë tjetër dhe përdor datat e skadencës në kanaçet me ananas si një mënyrë për të bërë një numërim mbrapsht. Një grua e re hyn në jetën e tij: gruaja me paruke (Brigitte Chin-Hsia Lin), e cila është e përfshirë në pazare droge.

Chungking Express

Ne presim që marrëdhënia e tyre të zhvillohet në mënyra konvencionale të nje filmi kriminal, por në vend të kësaj, filmi ndryshon histori, duke prezantuar një çift të ri: dy policë dhe një kamariere e re në një fast food të cilin e frekuentojnë rregullisht të dy. Kjo histori merr notat e një romance.

Përveç këtyre dy palë personazheve që pushtojnë ekranin, janë edhe dy “personazhe” të tjerë të pandarë nga filmi: vetë qyteti i Hong Kongut dhe lëvizja e shqetësuar e kamerës. Hong Kongu shfaqet si një pjesë integrale e historisë, një metropol gjithmonë në trazira, me rrugicat e tij të errëta, herë nën një shi të mjegullt, herë nën dritat rrezatuese të natës.

Ky ishte filmi që katapultoi emrin e Wong Kar-Wai tek audienca perëndimore, pjesërisht falë shpërndarjes së filmit nga Quentin Tarantino në Amerikë. Është e lehtë të kuptosh magjepsjen e Tarantinos me filmin: mozaiku i tregimeve të ndërlidhura, dialogët e lidhur me absurditetet e përditshme dhe përdorimi i muzikës për të krijuar pauza brenda filmit. Nëpërmjet një morie burimesh stilistike, filmi është gjithashtu një ushtrim imagjinate, duke iu afruar pafuqisë sentimentale të këtyre tregimeve të vogla dhe mënyrës në të cilën ai vendoset përkrah personazheve, të cilët e zgjerojnë atë në diçka sublime.

“Chungking Express” është një vepër kulti e përjetshme dhe një nga më të mirat e Wong Kar-Wai. Është moderne, avangarde, por romantike dhe e butë. Është poezi.

Chungking Express