Aplikimet e Inteligjencës Artificiale në sektorë të ndryshëm

Teknologji

Inteligjenca Artificiale nuk është një vizion futurist, por diçka që është këtu mes nesh, e integruar dhe e vendosur në një sërë sektorësh të ndryshëm si: financat, siguria kombëtare, kujdesi shëndetësor, drejtësia penale, transporti dhe qytetet inteligjente. Ka shumë shembuj ku AI tashmë po ndikon në botë në mënyra të rëndësishme.

Financa

Investimet në Inteligjencën Artificiale financiare në Shtetet e Bashkuara u trefishuan midis viteve 2013-të dhe 2014-të në një total prej 12.2 miliardë dollarësh. Sipas vëzhguesve të këtij sektori, “Vendimet për kreditë po merren tani nga një softuer i cili është në gjendje të selesionojë dhe paraqesë një sërë të dhënash të analizuara hollësisht në lidhje me huamarrësit.” ku të ashtuquajturit robotë-këshilltarë krijojnë portofole të personalizuara të investimeve, duke shmangur nevojën për agjentë aksionesh dhe këshilltarë financiarë si dhe ofrojnë zgjidhje të shpejta, brenda pak minutash.

Një shembull i spikatur i kësaj po ndodh me bursat, ku tregtimi me frekuencë të lartë me anë të makinerive inteligjente ka zëvendësuar pjesën më të madhe të vendimmarrjes njerëzore. Njerëzit dërgojnë urdhra për blerje dhe shitje dhe kompjuterët i përpunojnë ato sa hap e mbyll sytë pa ndërhyrjen njerëzore. Makineritë mund të dallojnë joefikasitetet e tregtimit ose diferencat e tregut në një shkallë shumë të vogël dhe të ekzekutojnë tregti që gjenerojnë të ardhura sipas udhëzimeve të investitorëve. Mundësuar në disa vende nga llogaritja e avancuar, këto mjete kanë kapacitete shumë më të mëdha për ruajtjen e informacionit për shkak të theksit të tyre në “bitët kuantikë” që mund të ruajnë vlera të mëdha pavarësisht vendndodhjes. Kjo rrit në mënyrë drastike kapacitetin e ruajtjes dhe zvogëlon kohën e përpunimit.

Zbulimi i mashtrimeve përfaqëson një mënyrë tjetër të dobisë së AI në sistemet financiare. Ndonjëherë është e vështirë të dallohen aktivitetet mashtruese në organizatat e mëdha, por AI mund të identifikojë anomalitë, rastet e jashtme apo ato devijuese që kërkojnë hetim shtesë. Kjo i ndihmon menaxherët të gjejnë problemet në fillim të ciklit, përpara se të arrijnë në nivele të rrezikshme për kompaninë.

Siguria Kombëtare

AI luan një rol thelbësor në mbrojtjen kombëtare. Nëpërmjet Projektit të saj Maven, ushtria amerikane po vendos AI për të shoshitur sasinë masive të të dhënave dhe videove të kapura nga vëzhgimi i bërë me teknologji të avancuara dhe më pas ta përcjellë informacionin te analistët njerëzorë për aktivitetet jonormale ose të dyshimta. Sipas Zëvendës Sekretarit të Mbrojtjes Patrick Shanahan, qëllimi i teknologjive në zhvillim në këtë fushë është “për të përmbushur nevojat e agjentëve të sigurisë kombëtare dhe për të rritur shpejtësinë dhe gatishmërinë e zhvillimit dhe prokurimit të teknologjisë”.

Analitika e të dhënave të mëdha të lidhura me AI do të ndikojë thellësisht në analizën e inteligjencës, pasi sasi masive të të dhënave analizohen pothuajse në kohë reale duke u siguruar komandantëve dhe stafeve të tyre një nivel analize të inteligjencës dhe produktivitetit të paparë deri më tani. Komanda dhe kontrolli do të ndikohen në mënyrë të ngjashme pasi forcat njerëzore delegojnë një rutinë të caktuar dhe në rrethana të veçanta delegojnë vendime kyçe në platformat e AI, duke reduktuar kohën për marrjen e vendimeve të caktuara. 

Kur bëhet fjalë për luftën, mund të themi që lufta është një proces konkurrues në kohë, ku në përgjithësi mbizotëron pala që është në gjendje të marrë vendime  dhe t’i zbatojë më shpejt ato. Në të vërtetë, sistemet e inteligjencës artificiale, të lidhura me sistemet e komandës dhe kontrollit të ndihmuar nga AI, mund t’i përshpejtojnë proceset e vendimmarrjes me një shpejtësi shumë herë më të lartë se shpejtësia e mjeteve tradicionale të zhvillimit të luftës. Aq i shpejtë do të jetë ky proces, veçanërisht nëse shoqërohet me vendime automatike për të lëshuar sisteme të armëve autonome artificialisht inteligjente të afta për rezultate vdekjeprurëse, saqë një term i ri është shpikur posaçërisht për të përqafuar shpejtësinë me të cilën do të zhvillohet lufta: hiperlufta.

Kujdesi shëndetësor

Mjetet e AI po ndihmojnë projektuesit të përmirësojnë sofistikimin llogaritës në kujdesin shëndetësor. Për shembull, Merantix është një kompani gjermane që ofron mësim të thellë të aplikimit të inteligjencës artificiale në çështjet mjekësore. Merantix ka krijuar disa imazhe mjekësore që “zbulojnë nyjet limfatike në trupin e njeriut në imazhet e Tomografisë Kompjuterike (CT).” Sipas zhvilluesve të tij, çelësi është etiketimi i nyjeve dhe identifikimi i lezioneve ose rritjeve të masave të vogla që mund të jenë problematike. Njerëzit mund ta bëjnë këtë por me një kosoto shumë herë më të lartë. Radiologët paguhen 100 dollarë në orë dhe janë në gjendje të lexojnë me kujdes vetëm katër imazhe në orë. Nëse do të kishte 10,000 imazhe, kostoja e këtij procesi do të ishte 250,000 dollarë, gjë që është jashtëzakonisht e shtrenjtë.

Ajo që ndodh në këtë situatë është trajnimi i kompjuterëve për të mësuar sesi duket një nyje limfatike me pamje normale dhe sesi duket një nyje limfatike me pamje të jonormale. Pasi ta bëhet e mundur kjo nëpërmjet ushtrimeve imazherike dhe duke përmirësuar saktësinë e etiketimit, specialistët e imazherisë radiologjike mund ta zbatojnë këtë njohuri te pacientët aktualë dhe të përcaktojnë shkallën në të cilën dikush është në rrezik për jetën nga nyjet limfatike kancerogjene. 

Inteligjenca artificiale është aplikuar edhe për dështimin kongjestiv të zemrës, një sëmundje që prek 10 për qind të qytetarëve të moshuar dhe kushton 35 miliardë dollarë çdo vit në Shtetet e Bashkuara. Mjetet e AI janë të dobishme sepse ato “parashikojnë paraprakisht sfidat e mundshme dhe shpërndajnë burime për edukimin e pacientëve, sensibilizimin dhe ndërhyrjet proaktive që i mbajnë pacientët jashtë spitalit”.

Drejtësia penale

AI është duke u vendosur gjithashtu edhe në fushën e drejtësisë penale. Qyteti i Çikagos ka zhvilluar një “Listë Strategjike të Subjekteve” të drejtuar nga AI që analizon njerëzit që janë arrestuar si njerëz që rrezikojnë të bëhen kriminelë të ardhshëm. Ai rendit 400,000 njerëz në një shkallë nga 0 deri në 500, duke përdorur elementë të tillë si mosha, aktiviteti kriminal, viktimizimi, të dhënat e arrestimit për përdorimin e drogërave dhe përkatësia e bandave. Duke parë të dhënat, analistët zbuluan se rinia përbën një potencial të fortë të dhunës, të qenit viktimë e të shtënave lidhet me mundësinë e të qenit një autor i ardhshëm, përkatësia e bandave ka pak vlerë parashikuese dhe arrestimet për përdorimin e drogës nuk lidhen shumë me aktivitetin e ardhshëm kriminal. 

Ekspertët gjyqësorë pretendojnë se programet e AI reduktojnë paragjykimet njerëzore në zbatimin e ligjit dhe çojnë në një sistem dënimi më të drejtë.

Megjithatë, kritikët shqetësohen se algoritmet e AI përfaqësojnë “një sistem sekret” për të ndëshkuar qytetarët për krime që nuk i kanë kryer ende.

Pavarësisht këtyre shqetësimeve, vendet e tjera po ecin me hapa të shpejtë përpara me aplikimin e AI në këtë fushë. Në Kinë, për shembull, kompanitë kanë tashmë burime të konsiderueshme dhe akses në zërat, fytyrat dhe të dhënat e tjera biometrike të njerëzve, të cilat do t’i ndihmojnë ata në zhvillimin e teknologjive të tyre.

Teknologjitë e reja bëjnë të mundur përputhjen e imazheve dhe zërave me llojet e tjera të informacionit, dhe përdorin AI për të kombinuar të dhënat dhe për të përmirësuar zbatimin e ligjit si dhe sigurinë kombëtare. Nëpërmjet programit të tij “Sytë e mprehtë”, organet e rendit kinez po përputhin imazhet, videot, aktivitetin e mediave sociale, blerjet në internet, regjistrimet e udhëtimeve dhe identitetin personal në një “re policore”. Kjo bazë të dhënash e integruar u mundëson autoriteteve të ndjekin gjurmët e kriminelëve, shkelësve të mundshëm të ligjit dhe terroristëve. E thënë ndryshe, Kina është bërë shteti kryesor në botë që ka krijuar një sistem të mbikëqyrjes me anë të Inteligjencës Artificiale.

Transporti

Transporti përfaqëson një fushë ku AI dhe mësimi i makinerive po prodhojnë risi të mëdha. Hulumtimi nga Cameron Kerry dhe Jack Karsten i Institutit Brookings ka zbuluar se mbi 80 miliardë dollarë janë investuar në teknologjinë e automjeteve autonome midis gushtit të vitit 2014-të dhe qershorit të vitit 2017-të. Këto investime përfshijnë zbatimin si për automjetet autonome, ashtu edhe për teknologjitë thelbësore jetike për atë sektor.

Automjetet autonome—makina, kamionë, autobusë dhe sisteme të shpërndarjes me dron—përdorin aftësi të avancuara teknologjike. Këto veçori përfshijnë drejtimin dhe frenimin e automatizuar të automjeteve, sistemet e ndryshimit të korsisë, përdorimin e kamerave dhe sensorëve për shmangien e përplasjeve, përdorimin e AI për të analizuar informacionin në kohë reale dhe përdorimin e sistemeve kompjuterike me performancë të lartë për t’u përshtatur me rrethanat e reja nëpërmjet hartave të detajuara.

Sistemet e zbulimit dhe rangut të dritës LIDAR (Lidar është një metodë e sensorit në distancë që përdor dritën në formën e një lazeri pulsues për të matur distancat e ndryshueshme në Tokë. Këto impulse drite – të kombinuara me të dhëna të tjera të regjistruara nga sistemi ajror – gjenerojnë informacione të sakta, tre-dimensionale për formën e Tokës dhe karakteristikat e saj sipërfaqësore) dhe AI ​​janë çelësi për navigimin dhe shmangien e përplasjeve. Sistemet LIDAR përbëhen kryesisht nga një lazer, një skaner dhe një marrës i specializuar GPS. Ato janë montuar në krye të automjeteve që përdorin imazhe në një mjedis 360 gradë nga një radar dhe rrezet e dritës për të matur shpejtësinë dhe distancën e objekteve përreth. Së bashku me sensorët e vendosur në pjesën e përparme, anësore dhe të pasme të automjetit, këto instrumente ofrojnë informacion që i mban makinat dhe kamionët me lëvizje të shpejtë në korsinë e tyre, i ndihmon ata të shmangin automjetet e tjera, të frenojnë dhe drejtojnë kur është e nevojshme dhe e bëjnë këtë në çast, në mënyrë që të shmangen aksidentet.

Meqenëse këto kamera dhe sensorë përpilojnë një sasi të madhe informacioni dhe duhet ta përpunojnë atë në çast për të shmangur makinën në korsinë tjetër, automjetet autonome kërkojnë llogaritje me performancë të lartë, algoritme të avancuara dhe sisteme inteligjente. Kjo do të thotë se softueri është çelësi, jo makina fizike apo kamioni. Softueri i avancuar u mundëson makinave të mësojnë nga përvojat e automjeteve të tjera në rrugë dhe të rregullojnë sistemet e tyre të lëvizjes kur ndryshojnë moti, drejtimi apo kushtet e rrugës.

Qytetet inteligjente

Një numër zonash metropolitane po miratojnë aplikacione të qyteteve inteligjente që përdorin AI për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve, planifikimin mjedisor, menaxhimin e burimeve, përdorimin e energjisë dhe parandalimin e krimit, ndër të tjera. Për indeksin e saj të qyteteve inteligjente, revista Fast Company renditi qytetet Seattle, Boston, San Francisko, Uashington, DC dhe New York City si adoptuesit kryesorë. Seattle, për shembull, po përdor AI për të menaxhuar përdorimin e energjisë dhe menaxhimin e burimeve. Bostoni ka nisur një “City Hall To Go” që siguron që komunitetet të marrin shërbimet e nevojshme publike. Ajo gjithashtu ka vendosur kamera për të menaxhuar trafikun dhe sensorë akustikë për të identifikuar të shtënat me armë. San Francisko ka certifikuar 203 ndërtesa që përmbushin standardet e qëndrueshmërisë LEED (Ndërtesat e certifikuara LEED kursejnë para, përmirësojnë efikasitetin, ulin emetimet e karbonit dhe krijojnë mjedise më të shëndetshme për njerëzit. Ato janë një pjesë kritike e adresimit të ndryshimeve klimatike dhe përmbushjes së objektivave të ESG dhe rritjes së elasticitetit).

Sipas një raporti të Lidhjes Kombëtare të Qyteteve, 66 për qind e qyteteve amerikane po investojnë në teknologjinë e qyteteve inteligjente. Ndër aplikacionet kryesore të përmendura në raport janë “matësit inteligjentë për shërbimet komunale, sinjalet inteligjente të trafikut, aplikacionet e qeverisjes elektronike, kioskat Wi-Fi dhe sensorët e identifikimit të frekuencave radio në trotuar.

Nga ana tjetër, Inteligjenca artificiale do të jetë gjithashtu përgjegjëse për ndërprerjen e shumë profesioneve gjatë viteve në vijim, megjithëse kjo do të krijojë gjithashtu mundësi të reja, të paimagjinuara më parë për burimet njerëzore. 

Ka gjithashtu ata që do të kritikojnë përdorimin e inteligjencës së makinerive në luftë, qofshin ato sulme me drone nga ajri apo ushtarë robotë me bazë tokësore, përmendim këtu një makinë si “Big Dog” i krijuar nga Google, një qen robot me katër këmbë i aftë të mbajë rreth 400 paund pajisje – megjithëse marinsat amerikanë janë aktualisht duke mos e përdorur për shkak të motorit të zhurmshëm me gaz. Duke përjashtuar disa rreziqe të tjera katastrofike të stilit të Singularitetit, për shumicën e njerëzve çështja më urgjente e AI është sulmi ndaj privatësisë. 

Makinat e të menduarit të drejtuara nga rrjeti nervor kanë nevojë për të dhëna trajnimi – dhe sa herë që ne përdorim shërbime si kërkimi në Google, Siri ose mjete të tjera, ne kontribuojmë në rritjen e inteligjencës artificiale duke i bërë pajisjet kompjuterike  më të zgjuara.

A ka të bëjë Inteligjenca Artificiale me përkthimin kompjuterik, njohjen e imazheve, mësimin e makinave për të drejtuar vetë në mënyrë autonome, asistentët inteligjentë të aftë për të drejtuar jetën tonë, termostatët inteligjentë në gjendje të flasin me televizorin tonë po aq inteligjent apo me algoritmet gjenetike të përdorura për projektimin e satelitëve të NASA-s? A ka të bëjë me të ardhmen e punësimit, rolin e njerëzve në shekullin e njëzet e një, apo rreziqet e natyrshme në ndërtimin e diçkaje edhe më të zgjuar se ne? A po përpiqemi të kuptojmë nëse inteligjenca është e ngjashme me vetëdijen, apo nëse truri i njeriut funksionon si një kompjuter? Në fund të fundit, a ka lidhje AI me ndërtimin e makinerive të të menduarit, makinerive që na bëjnë të mendojmë apo makinerive inteligjente të dizejnuara për të na dhuruar më shumë kohë për veten?

E vetmja përgjigje e vërtetë është “po”. Të gjitha të mësipërmet dhe shumë më tepër.