Vegjetariania- Han Kang

Libra

Një roman i thellë, i errët, simbolik, kontradiktor, shqetësues, sfidues…

Vegjetariania nga Han Kang është një roman që i përket letërsisë dhe artit koreano-japonez.

Romani fitoi Çmimin Ndërkombëtar Man Booker në vitin 2016.

Vegjetariania është një roman i thjeshtë në lexim dhe relativisht i shkurtër, por ai prek shumë tema delikate duke përfshirë çështjet më themelore të identitetit, gjinisë, përgjegjësisë ndaj të tjerëve dhe asaj që e bën jetën të vlefshme. Han Kang është në gjendje të eksplorojë ngjarje të errëta dhe personazhe të trazuar në një mënyrë vërtet tërheqëse. Është emocionuese të shohësh se si zhvillohet historia dhe më duhet të them se në asnjë moment nuk kam qenë plotësisht e sigurt se çfarë do të ndodhte më pas.

Yeong-hye dhe burri i saj jetonin një jetë të zakonshme. Kjo derisa një ditë Yeong-hye vendos të heqë dorë nga ngrënia e mishit.

Në një vend ku zakonet shoqërore respektohen rreptësisht, vendimi i Yeong-hye-së për të përqafuar një “ekzistencë vegjetariane” ishte një akt tronditës. Dhe ndërsa rebelimi i saj pasiv manifestohet në forma gjithnjë e më ekstreme dhe të frikshme, skandali, abuzimi dhe largimi fillojnë ta zhysin Yeong-hye-në në një botë ëndrrash të përgjakshme dhe frikërash të ndryshme. Në një metamorfozë të plotë të mendjes dhe trupit, vendimi i saj do ta çojë Yeong-hye-në në mënyrë tragjike larg vetvetes së saj të dikurshme.

Romani ndahet në 3 pjesë.

Pjesa e parë: Treguar përmes syve të bashkëshortit të saj, aka z. Cheong.
Pjesa e dytë: Rrëfimi kalon te burri i In-hye, motrës së Yeong-hye (ngjarjet ndodhin 2 vjet më vonë).
Pjesa e tretë: Treguar nga perspektiva e In-hye ndërsa vizitonte motrën e saj në një spital psikiatrik.

Secila nga këto pjesë e paraqet Yeong-hye të parë nga këndvështrimi i një personi tjetër – burrit të saj, kunatit dhe motrës së saj. Në versionin e burrit të saj, ajo është fotografia e shtëpisë së mërzitshme, një grua që ai e ka zgjedhur posaçërisht sepse është e thjeshtë dhe shtëpiake. Në versionin e kunatit të saj, ajo është një grua enigmë e cila zgjon interesin e tij artistik dhe seksual sic nuk kishte bërë askush tjetër më parë. Përsa i përket motrës, për të ajo është dy gjëra njëherësh, një viktimë dhe një manipuluese, një paciente psikiatrike e dobët, e cila megjithatë është krejtësisht e aftë t’i kontrollojë (dhe shpeshherë t’i zhgënjejë) ata që e rrethojnë.

Libri i Han Kang nuk ka të bëjë fare me vegjetarianizmin – kjo është vetëm pika fillestare. Ajo për të cilën bëhet fjalë në të vërtetë është një udhëtim shumë më i thellë brenda vetes. Tregon dhe flet jo vetëm për një person, por për një gjini, një identitet, një etni, një klasë dhe një rajon njerëzish. Flet për marrëdhëniet familjare, dhunën, për ndrydhjet shpirtërore të cilat shpeshherë cojnë në kolapse mendore dhe emocionale, për rebelimin në një mjedis autoritar, ndaj standarteve patriarkale. Sigurisht, të gjitha këto mund të zbulohen dhe kuptohen në një linjë të dytë leximi, përtej sipërfaqes.

Vegjetariania është shkruar në një mënyrë shumë të mirë, me një gjuhë të pasur metaforike dhe me një komplot që të mban gjithmonë të intriguar.

Mënyra më e mirë që mund të mendoj për ta përshkruar këtë libër është si një film: plot skena grafike, ngjarje të paparashikueshme, linja të ndryshme tregimi, i errët dhe i mrekullueshëm në të njëjtën kohë. Kang ka krijuar një përrallë si një ëndërr që nuk përpiqet kurrë të gjejë përgjigje të lehta për pyetjet e vështira që shtron.

Botuar nga: Onufri
Vlerësimi: 9/10