Mandolina e Kapiten Korellit- Louis de Bernieres
LibraNë kohën kur kisha përfunduar së lexuari librat e Kazantzakis (ato pak libra që janë përkthyer në shqip) zgjedhja e një libri te ri që sdo e prishte shijen e mirë, ishte e vështirë. Kur hasa në raftet e bibliotekës Mandolinën e Kapiten Korellit, nuk kisha ndonjë pritshmëri. E vetmja arsye pse e mora ishte fakti që ngjarjet zhvilloheshin në Greqi (duke qenë në atë kohë e impresionuar me Greqinë nga romanet e Kazantzakis). Nuk prisja asgjë të veçantë dhe të jashtëzakonshme dhe për mua ishte tmerrësisht surprizues fakti që ky libër u bë një nga librat e mi të preferuar të të gjitha kohërave.
Thjesht, ka pak nga të gjitha. Ka budallallëk, zgjuarsi te mprehtë, ka më të trishtën e tragjedive dhe romancat më pikëlluese. Louis de Bernieres është heroi im i ri letrar; përshkrimi i tij i Greqisë së pushtuar gjatë Luftës së Dytë Botërore arrin të jetë i tmerrshëm po aq sa shumë zbavitës, personazhet e tij janë aq të gjallë dhe realë, saqë unë sinqerisht qava për to.
Romani zhvillohet në periudhën e hershme të Luftës së Dytë Botërore dhe personazhet kryesorë janë mjeku i vetëquajtur (por jo i paaftë), Dr Iannis dhe vajza e tij e zjarrtë Pelagia. Ata duket se jetojnë një jetë thuajse të magjepsur në një ishull idilik grek – peshkatarë që notojnë me delfinët, një dhi e dashur që ha gjithçka që sheh, banorët vendas të çuditshëm dhe karakteristikë që tingëllojnë sikur kanë dalë direkt nga një libër me tregime për fëmijë.
Kjo është ajo që e bën pushtimin nga ushtritë gjermane dhe italiane kaq të tmerrshëm– është si të hedhësh një skenë grafike torture drejt e në mes të një përrallë. Edhe pse është një shpërbërje graduale në kaos të përgjakshëm; në pjesën më të madhe të tij, romani zhvillohet në banesën e mjekut, i cili detyrohet të strehojë një kapiten të ushtrisë italiane, kapiten Korellin, i cili rezulton të jetë mjaft i vështirë për t’u urryer, pavarësisht nga fakti se ata duan dëshpërimisht ta bëjnë atë të ndihet aq fajtor dhe i tmerrshëm sa lufta, vendi që përfaqëson dhe roli i tij si një pushtues.
Kapiten Korelli është jashtëzakonisht i talentuar për të luajtur në instrumentin e tij muzikor, mandolinën, është gjithashtu i dhembshur dhe mendjemprehtë dhe ka atë lloj inteligjence të rastësishme që është gjithmonë kaq tërheqëse. Pelagia, vajza e doktorit, bie kokë e këmbë në dashuri me të, megjithëse është një dashuri e fituar me vështirësi dhe nuk ka asnjë përshkrim të ndyrë, apo puthje në qetësinë e ëmbël të jetës, nën perëndimet magjike të diellit. Sepse ka shumë gjëra që po ndodhin me luftën deri në këtë pikë dhe ndërsa historia vazhdon, dhe lidhja e dashurisë midis Pelagias dhe kapitenit Korellit forcohet, përparon po ashtu edhe pushtimi, me masakrat, përdhunimet dhe pirgjet e djegies.
Nëse kjo tingëllon shumë shqetësuese, atëherë më lejoni t’ju them: as unë nuk i preferoj librat qe te mbushin trurin me tmerre. Ende e gjej veten duke marrë skena nga librat dhe filmat që kam lexuar ose parë dekada më parë dhe ato ende më prekin, kështu që përpiqem të minimizoj sasinë e përmbajtjes shqetësuese që shtohet në bankën time të kujtesës. Ka mjaftueshëm ngjarje të tmerrshme në realitet – mjerisht ato janë zakonisht më keq se çdo gjë që mund të imagjinohet në një roman. Por tmerret në Mandolinën e Kapitenit Korellit janë të mbrojtura nga aq shumë gëzime të vogla te përditshmërisë. Ka një lloj fryme të mirë të shfaqur nga personazhet, një trimëri që refuzon të njolloset ose të shkelet. Ti ecën përpara, pikërisht si ata, dhe për shkak se je investuar në mënyrë të pakthyeshme në secilin personazh, qëndron me ta deri në fund.
Rrallë jam ndjerë kaq e mbushur me shpresë pasi kam lexuar një libër. Shkruar me vëmendje të patëmetë ndaj detajeve dhe natyrave njerëzore – se si ata mund të jenë kaq plotësisht të këqinj, ose kaq vetëmohues dhe të guximshëm. Historitë e shumta të dashurisë që kalojnë nëpër roman (babai dhe bija, vajza dhe dashnori, dhe dashuria që ushtari Carlos ka për miqtë e tij meshkuj) nuk janë konvencionale; ato te detyrojnë ta shohësh dashurinë në sfera të tjera dhe ta vendosësh atë në kontekste të ndryshme për t’i dhënë një kuptim të ndryshëm çdo herë.
Botuar nga: Carpe Diem
Përkthyesi: Ani Ruci
Vleresimi: 10/10