“The Lover” – Marguerite Duras

Libra

Kush është “The lover”?

Në fillim mendova se “The Lover” ishte ajo.

Pastaj kuptova se ishte ai.

Dhe në fund kuptova se ishte shumë më tepër sesa kaq.

Personazhet në këtë histori janë pa emër. Një enigmë me përemra vetorë vizaton një pikturë anonime të tjetërsuar nga lagështia e dendur e një vendi të huaj, që vajton humbjen e rinisë dhe pafajësisë, që thërret tingujt e fjalëve të pashprehura dhe mirazhin e një të ardhmeje që nuk ka ekzistuar kurrë. Vetëm aroma e ngjeshur që mbulon dritaret e një dhome të vogël hoteli, ku dy trupa të rrëshqitshëm braktisin veten pas pasionit të çmendur, sfidon realitetin dhe kalimin e kohës.

“The Lover” është një pikturë e lëvizshme kujtimesh. Kujtimet janë goditjet e penelit dhe dëshira jetëgjatë ngjyra me të cilën tregimtarja pikturon historinë e saj piktoreske. Zbulimi i dashurisë së parë dhe kënaqësisë erotike mbërrijnë dorë për dore me thyerjen e zemrës nga një ndarjeje e caktuar dhe pamëshirshmërinë e traditës. Distanca kulturore midis popullit vendas dhe kolonizatorëve në Indokinën Franceze bëhet sfondi i një historie dashurie që dënohet ende pa nisur.

Një gjendje e përhershme kaosi duket se mbizotëron brenda kokës së protagonistes adoleshente dhe kjo pothuajse bëhet një pasqyrim i saktë i kohërave të trazuara të një Indo-Kine të kolonizuar, multi-kulturore, multietnike (Vietnam, Laos dhe Kamboxhia e tanishme), tokë e shkatërruar, pasuritë e së cilës mbetën në mëshirën e zotërinjve të ndryshëm kolonialë për dekada.

Edhe pse romanca formon temën kryesore të këtij libri, ajo që shpesh errëson tonet e saj, është prania e afërt e Indo-Kinës. Dashuria e Durasit për këtë tokë shkëlqen nën mjegullën e viteve të saj traumatike.

Kështu, është inkurajuese të shohësh se Vietnami gjallërohet në prozën e rrallë dhe të bukur të Durasit. Pamjet dhe tingujt, aromat dhe peisazhet e saj bëhen pjesë përbërëse e kësaj novele gjysmë autobiografike duke i dhënë një karakter të veçantë.

Ka përshkrime të bukura të Cholon, kryeqytetit kinez të Indo-Kinës Franceze, plot jetë dhe aktivitet, lumit Mekong dhe tragetit të mëngjesit që transportonte pasagjerët për në Saigon, ku vajza e re shkon për tu nisur në shkollë.

“The Lover” është një kaskadë notash muzikore të shpërndara në lëvizje të rrjedhshme.

“The Lover” është më shumë se një kujtim gjysmë autobiografik dhe më pak se një monolog i brendshëm.
“The lover” arrin të pikturojë një pamje lëvizëse të marrëdhënieve ambivalente, që i kapërcen kufijtë e racës apo etnisë dhe i bën thirrje shpirtit universal njerëzor.