Ayn Rand – Himni
Libra“Shekujt e zinxhirëve nuk mund ta vrasin shpirtin e njeriut dhe as ndjenjën e së vërtetës brenda tij.“
Ayn Rand, Himni
Himni është përralla klasike e Ayn Rand-it për një të ardhme distopike të kolektivitetit “Ne”- një botë që privon individët nga një emër individual ose pavarësia.
Ata ekzistonin vetëm për t’i shërbyer shtetit. Ata u konceptuan në pallatet e kontrolluara të çiftëzimit. Ata vdiqën në shtëpinë e të padobishmëve. Nga djepi në varr, turma ishte një NE e madhe.
Në gjithçka që kishte mbetur nga njerëzimi, kishte vetëm një njeri që guxoi të mendonte, të kërkonte dhe të dashuronte. Në një botë pa dashuri, ai guxoi të donte gruan që kishte zgjedhur. Në një epokë që kishte humbur çdo gjurmë të shkencës dhe qytetërimit, ai pati guximin të kërkonte dhe të gjente dije. Por këto nuk ishin krimet për të cilat ai do të ndiqej. Ai kishte kryer mëkatin e pafalshëm: Ai kishte dalë nga tufa e pamend njerëzore. Ai ishte një njeri i vetëm. Ai kishte rizbuluar fjalën e humbur dhe të shenjtë- Unë.
Himni është një reagim personal ndaj sistemit kolektivist, mbizotërues në Bashkimin Sovjetik dhe kolonitë e tij të modernizuara për më shumë se shtatë dekada. I konsideruar si shumë reaksionar nga intelektualët e majtë për një kohë të gjatë, ai përshkruan kaosin apokaliptik në një botë të sunduar nga mendimet kolektiviste në të njëjtën mënyrë sic bën Orwell-i në romanin e tij 1984.
Premisa e këtij romani është intriguese. Çfarë ajo ka shkruar në Himnin e saj është një testament i asaj që njerëzit duhet të bëjnë për të mbajtur nën kontroll qeveritë e tyre. Në thelb, Rand i thotë lexuesit të mbajë mend këtë: qeveritë punojnë për njerëzit, jo anasjelltas.
Himni i Ayn Rand konsiderohet një klasik brenda letërsisë post apokaliptike.
Lexuesit ndahen në dy grupe kur bëhet fjalë për filozofinë e Rand (filozofia e objektivizmit, e cila bazohet te interesi personal, arsyeja, njohuritë dhe kapitalizmi). Unë personalisht e adhuroj atë dhe stilin e saj të të shkruarit në një nivel krejtësisht egoist. Por nga ana tjetër në një nivel altruist, filloj të mendoj se si njerëzimi ose qëndron së bashku ose shpërbëhet.
Është mirë të jesh i bashkuar, por nuk është e shëndetshme që ky bashkim të kapërcejë kufijtë dhe të sundojë jetën tënde. Diversiteti, mendimi dhe vullneti i lirë janë shumë të rëndësishëm për përparimin dhe zgjidhjen e problemeve, po aq sa ç’është i rëndësishëm bashkëpunimi dhe forca e bashkimit.
Pavarësisht nëse pajtohemi ose jo me filozofinë e Rand-it, Himni na jep një pamje të qartë të asaj që ajo do të shkruante në romanet e mëvonshme.
Vlerësimi: 8/10