Tërmeti mund t’i kushtojë Turqisë deri në 84 miliardë dollarë

Biznes

Tërmeti më i keq në historinë e Turqisë në gati një shekull ka lënë një gjurmë shkatërrimi që mund t’i kushtojë Ankarasë deri në 84.1 miliardë dollarë, tha një grup biznesi, ndërsa një zyrtar qeveritar tha shifrën në më shumë se 50 miliardë dollarë.

Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri nga tërmeti 7.8 ballë i të hënës së kaluar arriti në 36,000 dhe duket se do të rritet, pasi fokusi i reagimit kaloi nga shpëtimi i të mbijetuarve të bllokuar nën rrënoja në sigurimin e strehimit, ushqimit dhe kujdesit psikosocial.

Një raport i publikuar në fundjavë nga Konfederata Turke e Ndërmarrjeve dhe Biznesit vlerësoi koston e dëmit në 84.1 miliardë dollarë – 70.8 miliardë dollarë nga riparimi i mijëra shtëpive, 10.4 miliardë dollarë nga humbja e të ardhurave kombëtare dhe 2.9 miliardë dollarë nga humbja e ditëve të punës.

Ai tha se kostot kryesore do të ishin rindërtimi i banesave, linjave të transmetimit dhe infrastrukturës dhe plotësimi i nevojave afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për strehimin e qindra mijërave të mbetur pa shtëpi.

Presidenti Erdogan ka thënë se shteti do të përfundojë rindërtimin e banesave brenda një viti dhe qeveria po përgatit një program për  “ta bërë vendin të ngrihet në këmbë përsëri”.

Rreth 13.4 milionë njerëz jetojnë në 10 provincat e goditura nga tërmeti, ose 15% e popullsisë së Turqisë, dhe ajo prodhon afërsisht 10% të PBB-së (prodhimi i brendshëm bruto).

Ndikimi i tërmetit në produktin e brendshëm bruto nuk ka gjasa të jetë aq i theksuar sa pas tërmetit të vitit 1999 në Turqinë veriperëndimore, i cili goditi zemrën industriale, tha drejtori ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar Mahmoud Mohieldin.

Mohieldin shtoi se, pas ndikimit fillestar gjatë muajve të ardhshëm, investimet e sektorit publik dhe privat në rindërtim mund të nxisin rritjen e PBB-së në vijim.

Megjithatë, ekonomistët dhe zyrtarët vlerësuan se tërmeti do të ulte ndjeshëm rritjen ekonomike këtë vit.

Qeveria parashikoi një rritje me 5% në 2022 dhe kishte vlerësuar një rritje me 5.5% në 2023 para tërmetit.

Turqia do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare këtë verë – sfida më e madhe për Erdoganin gjatë dy dekadave të tij në pushtet.

Në 10 provincat e prekura është shpallur një gjendje e jashtëzakonshme për tre muaj dhe banka qendrore ka shtyrë pagesat për disa kredi. Thesari gjithashtu shtyu pagesat e taksave për rajonin deri në fund të korrikut.

Reuters