Si do e përmirësonte java katërditore e punës klimën e planetit tonë?

MishMash

Ka një interes në rritje për përfitimet e një jave pune katërditore për produktivitetin dhe mirëqenien e punonjësve, por tabloja është më e ndërlikuar kur bëhet fjalë për ndryshimet klimaterike.

Në vitin 2011, Simon Ursell dhe tre bashkëthemeluesit e tjerë të konsulencës mjedisore të Tyler Grange vendosën t’u japin të gjithë punonjësve të tyre një ditë pushim në muaj për të bërë punë vullnetare rreth “ndryshimeve klimaterike”.

Por vitin e kaluar, Tyler Grange ndërmori atë që konsiderohet si një hap drejt mirëqenies së punëtorëve, duke u dhënë të gjithë punonjësve një të pestën e javës së tyre të punës pushim.

Kompania iu bashkua provës më të madhe në botë për javën e punës me katër ditë, e cila u krijua në Mbretërinë e Bashkuar nga qershori deri në dhjetor të vitit 2022. 

Menaxherët dhe punëtorët në Tyler Grange e festuan këtë vendim me entuziazëm, me rezultatet e tyre që tregonin se produktiviteti ditor u rrit me 22%. Por Ursell ishte gjithashtu i prirur për të matur një tjetër rezultat: ndikimin e javës më të shkurtër të punës në nivelin e ndotjes. Dhe java katërditore e punës doli të jetë çuditërisht një ndikim i mirë duke reduktuar mesatarisht 21% në numrin e kilometrave të përshkuar me makinë. Tyler Grange ndërpreu takimet dhe udhëtimet që ishin të panevojshme. Shumë punonjës përdorën ditët e tyre shtesë të pushimit për t’u përfshirë edhe më shumë në vullnetarizmin për klimën.

Java katërditore e punës po merr vrull në të gjithë botën. Organizata jofitimprurëse që koordinoi provën në Mbretërinë e Bashkuar, “4 Day week Global” kishte kryer tashmë disa projekte pilotë në SHBA dhe Irlandë, ndërsa sektori publik në Islandë dhe kompanitë në Spanjë, Suedi, Belgjikë, Japoni dhe Zelandën e Re kanë testuar të gjithë ndikimin që sjell një javë e shkurtuar pune.

Por testimi në Mbretërinë e Bashkuar ishte më i madhi, duke përfshirë më shumë se 60 firma dhe organizata. Rezultatet përfundimtare u publikuan më 21 shkurt dhe disa nga kompanitë po mbështesin fuqishëm atë që sugjeruan studimet e mëparshme: një javë më e shkurtër pune mund të ndihmojë planetin.

Juliet Schor, një ekonomiste dhe sociologe në Kolegjin e Bostonit dhe studiuese kryesore në “4 Day week Global”, e cila ka punuar si për projektet pilotët në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në SHBA, argumenton se një javë më e shkurtër pune është çelësi për arritjen e reduktimeve të emetimeve të karbonit që i duhen botës.

“Megjithëse përfitimet klimatike janë gjëja më sfiduese për t’u matur, ne kemi shumë kërkime që tregojnë se me kalimin e kohës, ndërsa vendet reduktojnë orët e punës, emetimet e tyre të karbonit bien,” thotë ajo. Një reduktim prej 10% i orëve shoqërohet me një rënie prej 8.6% të gjurmës së karbonit.

Një nga kontribuesit më të rëndësishëm në përfitimet klimatike të javës katërditore të punës është ulja e përdorimit të makinave dhe mjeteve të ndryshme të transportit.

Kur njerëzit punojnë më pak, ata kanë më shumë kohë të lirë për aktivitete të qëndrueshme, të cilat shpesh kërkojnë më shumë kohë – Stefanie Gerold

Projeket në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA zbuluan gjithashtu se shumë njerëz shpenzuan kohën e kursyer nga puna duke u angazhuar në aktivitete me karbon të ulët, të tilla si shëtitjet ose hobi të qëndrimit në shtëpi. Të dhënat e Mbretërisë së Bashkuar treguan gjithashtu se kalimi në një javë më të shkurtër pune çoi në një rritje të sjelljeve pro-mjedisore: pjesëmarrësit në provë shpenzuan më shumë kohë duke u bërë vullnetarë në projekte që lidhen drejtpërdrejtë me mjedisin dhe ishin më të kujdesshëm me riciklimin dhe blerjen e produkteve miqësore qe reduktojnë ndotjen.

Përmirësimi i efikasitetit duke shmangur punën e tepërt është pika kyce e javës katërditore të punës. Dhe efikasiteti ka të bëjë gjithashtu me energjinë. Më shumë ditë pushimi mund të rezultojnë në punonjës më efikasë në energji dhe më produktivë. 

Por, disa ekspertë vërejnë se reduktimi i orarit të punës mund të sjellë rreziqe të tjera për mjedisin.

Parashikimi se si të gjithë njerëzit do ta përdorin atë ditë shtesë është i ndërlikuar.

 Një fundjavë tre-ditore mund të çojë gjithashtu në një konsum më të madh të mallrave dhe shërbimeve me intensitet karboni. Nëse përfundoni duke marrë një avion ose duke vozitur njëqind milje për aktivitete të kohës së lirë, kjo vështirë se mund të ndihmojë në trajtimin e krizës klimatike.

As provat në Mbretërinë e Bashkuar dhe as në SHBA nuk matën ndikimin e plotë të karbonit të ndonjë aktiviteti shtesë që njerëzit mund të kenë bërë për shkak të ditës së tyre shtesë të pushimit.

Një studim tregoi se njerëzit në Amerikën e Veriut dhe Evropë lënë një gjurmë më të ulët të karbonit në ditët e fundjavës (emetimet e fundjavës nuk u ulën në Azinë Lindore). Në përgjithësi, emetimet e së dielës në Amerikën e Veriut dhe Evropë u zbuluan se ishin 40% më të ulëta se mesatarja, ndërsa emetimet e ditëve të javës ishin gati 20% më të larta se mesatarja.

Java katërditore ka gjithashtu një avantazh ndaj shumë zgjidhjeve të tjera klimatike: nuk perceptohet si një sakrificë.

Megjithatë, të dhënat nga Administrata e Informacionit të Energjisë në SHBA tregojnë gjithashtu se njerëzit në SHBA djegin gati 10% më pak lëndë djegëse fosile gjatë fundjavave sesa gjatë ditëve të javës. Pra, zhvendosja e së Premtes nga një ditë jave në një ditë fundjave mund të përfaqësojë një përmirësim të rëndësishëm në emetimet e karburanteve fosile. 

Ne duhet të investojmë në infrastrukturën e gjelbër. Objektet miqësore me mjedisin dhe hapësirat e gjelbra të lagjeve duhet të krijohen edhe nëpër zonat urbane në mënyrë që të inkurajohen njerëzit që të kalojnë kohën e tyre të lirë në një mënyrë miqësore me mjedisin.

Megjithatë, pavarësisht numrit në rritje të provave, ka shumë pak të dhëna për të kuptuar plotësisht se çfarë ndikimi do të kishte në klimën e planetit kalimi në katër ditë pune në javë.

Mund të jetë e vështirë të maten me saktësi disa nga përfitimet klimatike për shkak të faktorëve të tjerë të ndërthurur. 

Në çdo rast, shqetësimet mjedisore nuk ishin shtytësi kryesor i shumë prej firmave të përfshira në prova. Kjo është arsyeja pse ndikimi i klimës nuk u shfaq në mënyrë të dukshme në atë që u gjurmua në krahasim me efektet sociale dhe ekonomike si ekuilibri i punës dhe jetës dhe produktiviteti.

Por a është vërtet java katërditore diçka që çdo kompani mund ta përballojë? Praktikisht nuk ka asnjë anë negative dhe është e realizueshme në një bazë të gjerë por duhet guxim për ta bërë.

Ndonjëherë, punëdhënësit kanë nevojë vetëm për një shtytje të vogël, dhe këtu hyn në lojë veprimi i qeverisë. Nevojitet veprim politik për të nxitur një ndryshim kaq të madh. Qeveria spanjolle kohët e fundit konfirmoi se do të paguajë deri në 150,000 dollarë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që testojnë javën katërditore.

Mbështetja e qeverisë mund të materializohet edhe në mënyra të tjera,  të tilla si ulja me ligj e kufirit maksimal të orëve të punës, ose duke vepruar si pionier vetë. Sektori publik është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në të gjitha vendet evropiane, nëse ky sektor ofron një javë katër-ditore, kompanitë private do të duhet të bëjnë të njëjtën gjë për të tërhequr punonjës.

Megjithatë, sa më shumë kompani të vetë-hyjnë në këtë territor, aq më shumë qeveritë do të detyrohen të veprojnë. Këto programe pilot janë vërtet të rëndësishme për të nxitur axhendën politike.

Java katërditore ka gjithashtu një avantazh ndaj shumë zgjidhjeve të tjera klimatike: nuk perceptohet si një sakrificë. Një javë më e shkurtër pune pa humbje në pagë është e gëzueshme. Është diçka që ne të gjithë e dëshirojmë.

BBC