7 mësime nga themeluesi i një aplikacioni për shëndetin mendor i cili dështoi

Biznes

Kur Michael Plisco themeloi Modus në 2022, ai vendosi të ndërtojë një aplikacion celular që do t’i ndihmonte njerëzit të menaxhonin kohën e tyre në mënyrë më efektive për të luftuar burnout-in dhe për të gjurmuar ndryshimet e sjelljes.

Modus ishte vetëm disa javë larg lancimit në janar 2023, kur Plisco dhe bashkëthemeluesit vendosën të hiqnin dorë. Vendimi nuk ishte i lehtë dhe Plisco ishte në mes të betejës së tij kundër ankthit dhe depresionit.

Që kur u largua, ai tani e sheh qartë Modus – dhe rënien e tij. 

Këtu janë disa nga mësimet që nxorri ai:

1. Ndërveproni me përdoruesit

Plisco kaloi shumicën e kohës duke ideuar dhe ndërtuar me ekipin e tij në vend që të ndërvepronte me përdoruesit. Ai ishte i fiksuar në krijimin e një produkti të përsosur, por nuk u fokusua mjaftueshëm në lancimin e tij të shpejtë në mënyrë që të merrte reagime nga përdoruesit që më pas të punonte për të krijuar një produkt që do ishte në përputhje me kërkesat dhe nevojat e përdoruesve.

Tërheqja e investimeve për teknologjinë konsumatore që ende nuk është hedhur në treg, ose që nuk ka përdorues, është e vështirë. Ndërtimi i hershëm i MVP-ve të thjeshta mund t’i ndihmojë aplikacionet të mbledhin të dhëna të vlefshme.

2. Shmangni “spiralën e vdekjes”

Për të mbledhur fonde, ju duhet një produkt. Për të ndërtuar një produkt, ju duhet një ekip. Për të pasur një ekip, keni nevojë për mbledhje fondesh. E quajtur me vend “spiralja e vdekjes së paraproduktit” nga Plisco, kjo dinamikë fut në kurth shumë themelues.

Këshilla e Plisco: Së pari siguroni një nga komponentët. Nëse nuk mund ta ndërtoni produktin tuaj pa një bashkëthemelues teknik, gjeni një partner me aftësi inxhinierike që është i gatshëm t’i bashkohet ekipit herët. (Plisco solli dy bashkëthemelues teknikë të cilët ende mbanin punët e tyre me kohë të plotë.)

Nëse mund ta krijoni vetë produktin, ndërtojeni atë fillimisht, rrisni kapitalin dhe më pas punësoni njerëz për epikin tuaj.

3. Kuptoni VC-të (një investitor i kapitalit privat që siguron kapital për kompanitë me potencial të lartë rritjeje në këmbim të një aksioni të kapitalit.)

“Gjëja më e mirë që mund të bëjnë themeluesit… është të kuptojnë lojën që luhet nga investitorët,” thotë Plisco.

Plisco, i cili më parë ka punuar në një firmë të tillë, thotë se themeluesit duhet të kuptojnë se VC-të nuk kanë kontrolle të pafundme. Ata janë duke luajtur një lojë me aksione të larta ku kanë nevojë për rezultate specifike për të mbajtur dritat ndezur.

Në vend që t’i shikoni VC-të si perëndi, kuptoni se edhe ata janë operatorë biznesi dhe ju jeni aty për të provuar se si biznesi juaj mund t’i ndihmojë ata të sigurojnë paratë e tyre.

4. Bëhuni një gjeneralist i aftë

Një nga gjërat më të mira që mund të bëjë një themelues i vetëm është të bëhet i aftë në shumë aspekte të biznesit të tij. Kjo ju lejon të:

  • Kuptoni se çfarë e bën kompaninë tuaj të jetë e suksesshme.
  • Të keni ndërveprime më konstruktive dhe të respektueshme me punonjësit.
  • Të vini re problemet dhe të merrni masa për t’i zgjidhur ato.

5. Mësoni nga mençuria konvencionale

“Të themelosh një startup është si të ecësh në një fushë të minuar”, thotë Plisco. “Ka kaq shumë informacione rreth minave dhe pasojave që sjellin ato, dhe megjithatë ne ecim në to pa pushim.”

Këshilla e tij: Kushtojini vëmendje informacionit, mësimeve dhe historive rreth mënyrës sesi të krijoni dhe nxirrni në treg produkte të suksesshme. Qëndroni të përulur dhe mos pretendoni se jeni ndryshe nga ata që erdhën para jush.

6. Kujdesuni për veten

Ndërsa narrativa sipërmarrëse mund të jetë të fitosh me çdo kusht, Plisco thotë se është e rrezikshme t’i përmbahesh kësaj mendësie dhe se sipërmarrësit duhet të jenë në harmoni me emocionet e tyre dhe të dinë kur të bëjnë një pushim.

7. Hiqni dorë kur duhet

Ernest Shackleton, eksploruesi që tentoi një ekspeditë trans-Antarktike, nuk arriti kurrë në Polin e Jugut. Por ai shpëtoi veten dhe ekipin e tij nga vdekja e sigurt, duke thënë “më mirë një gomar i gjallë se një luan i ngordhur”.

Një pjesë e të qenit një themelues i mirë është të dish se kur duhet të heqësh dorë, thotë Plisco. Mbani mend: nuk ka të bëjë vetëm me ju. Është përgjegjësia juaj të bëni atë që është më e mira për kompaninë dhe ekipin tuaj. 

Hubspot