Si të ngadalësoni kohën?
LifestylePse muajt e verës fluturojnë, ndërkohë që Janari duket se zvarritet e zvarritet me një ritëm brutal? Pse disa momente, ditë, muaj duken më të gjatë se të tjerët? Pse pushimet më të mira, më intensive, kur ndihemi të lumtur dhe në shoqëri të mirë e bëjnë kohën jo vetëm të ecë me ritme të shpejta por edhe të humbasë kuptimin e saj, dhe ndryshe ndodh me kohën kur jemi në shtëpi apo në ritmin monoton të jetës sonë të përditshme?
Neuroshkencëtari kognitiv Martin Wiener, PhD, i cili studion se si truri ynë e percepton kohën dhe hapësirën, shpjegon se ne e përjetojmë kohën si një vazhdimësi – diçka lineare, me fillim, mes dhe fund dhe nuk e përjetojmë gjithmonë me të njëjtin ritëm. . Në varësi të asaj ku jemi fokusuar, hapësirës fizike në të cilën ndodhemi ose njohjes së përvojës, ne e ndjejmë kohën të përshpejtuar në disa momente dhe e ngadalësuar në disa të tjera.
Më poshtë do paraqesim disa nga pikat kryesore që sipas Wiener zbulojnë mënyrat më themelore (dhe befasuese) se si truri ynë e shtrembëron kohën.
- Përqendrimi te koha shkakton ngadalësimin e saj. Nëse keni ngecur ndonjëherë në trafik, keni pasur një vonesë fluturimi, apo edhe keni guxuar të shikoni një tenxhere me ujë të ziejë, ju keni përjetuar ndjenjën e zvarritjes së kohës. Hulumtimet sugjerojnë që sa më shumë të përqendroheni te koha, aq më ngadalë duket se kalon, gjë që zakonisht ndodh kur jemi të mërzitur ose kur bëjmë diçka që nuk do të donim ta bënim.
- Shpërqëndrimi nga koha bën të mundur përshpejtimin e saj. Sa më shumë të shpërqendroheni nga koha, aq më shpejt duket se kalon ajo sepse nuk jeni të fokusuar në faktin se sa kohë po kalon.
- Kujtimet e shtrembërojnë kohën. Kur shikoni pas në kohë, ju e perceptoni kohën ndryshe. Kur ti kujton një moment të bukur në kohë, truri yt ka tendencën ta zgjerojë kohën edhe pse kur e ke përjetuar koha ka kaluar shumë shpejt. E kundërta është e vërtetë kur bëhet fjalë për kujtimet e kohërave kur nuk ka ndodhur asgjë, si pritja në trafik ose në radhën e supermarketit. Kur i kujton ato përvoja, ndoshta do të ndiheni sikur ishin relativisht të shkurtra.
- Dopamina mund të ndikojë në perceptimin e kohës. Shkencëtarët nuk e kuptojnë ende se si truri e përpunon kohën, por hulumtimet e reja tregojnë se dopamina, neurotransmetuesi që stimulohet kur ndjejmë kënaqësi dhe lumturi, mund të luajë një rol. “Çdo gjë që rrit dopaminën tenton të përshpejtojë ndjenjën tonë të kohës”, thotë Wiener. “Ndërsa gjërat që reduktojnë dopaminën e ngadalësojnë atë.”
- Hapësira ndikon në mënyrën se si ne e perceptojmë kohën. Sa më e madhe të jetë hapësira, aq më ngadalë duket se kalon koha. Kjo vlen për hapësirën në të cilën ndodheni ose hapësirën (distancën) që përshkoni gjatë udhëtimeve. A jeni tunduar ndonjëherë të ktheheni nga rruga për në punë për shkak të trafikur, edhe pse GPS thotë se rruga me trafik do t’ju çojë më shpejt atje? Mungesa e lëvizjes në hapësirë (dhe fokusi në kohë) e bën kohën në trafik të ndihet sikur po lëviz më ngadalë. Duke marrë rrugën më të gjatë, mund të ndjeni se ka kaluar më pak kohë se cdo të kishtë kaluar në rrugën më të shkurtër me trafik. Në mënyrë të ngjashme, mënyra se si ne lëvizim trupat tanë në hapësirë gjithashtu ndryshon perceptimin tonë për kohën – koha mund të ndjehet sikur po ecën më shpejt nëse jeni duke kërcyer ose duke shkuar për vrap në krahasim me qëndrimin ulur.
- Familjariteti zgjeron hapësirën dhe kontrakton kohën. Sa më i njohur të jeni me diçka, si një rrugë për në punë ose rruga për në kafenenë tuaj të preferuar, aq më e shkurtër duket koha për të arritur atje, por distanca zgjerohet nga padurimi për të arritur sa më shpejt.
Herën e parë që merrni një rrugë të re, rruga mund t’ju duket tepër e gjatë, edhe pse në të vërtetë nuk është. Por nëse filloni të merrni vazhdimisht të njëjtën rrugë dhe të familjarizoheni me të, koha do t’ju duket e shkurtër, por distanca për të arritur atje do të duket më e gjatë.
Studiuesit ende po përpiqen të zbulojnë se si përpunohet koha në tru – cilat pjesë të trurit aktivizohen, çfarë mekanizmash kërkohen, cilët neurotransmetues dhe hormone janë të përfshirë dhe më shumë. Por perceptimi ynë për kohën është pikërisht ai: perceptimi ynë. Të luash me disa nga këto ide që ndryshojnë perceptimin tuaj për kohën mund t’ju ndihmojë të gjeni mënyra për ta shpejtuar atë në momentet më të mërzitshme – dhe për ta ngadalësuar kur dëshironi që një moment të zgjasë.