A ju duket dhe juve katërshja e futur në “burg” një katërshe finalistësh?
ShqipëriGjatë prime-t të së shtunës Luizi, Olta, Maestro dhe Kristi si pasojë e thyerjes së një ndër rregullave kryesore të Big Brother, diskutimi i nominimeve, janë dënuar nga Vëllai i Madh i cili vendosi t’i fuste ata në “burg”, një hapësirë e veçuar, në të cilën do të qëndrojë deri në prime-n e ardhshëm.
Duket e gjitha si një situatë e skenuar. Pikërisht këta katër banorë vendosën të diskutonin sërish për nominimet dhe të përfundonin kështu të mënjanuar nga pjesa tjetër e shtëpisë. Pikërisht këta katër banorë, shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, duke parë të gjithë rrugëtimin e tyre deri më tani, na krijojnë përshtypjen e një katërshe finalistësh.
E skenuar nga vetë ata apo një situatë që ka ardhur në bisedë e sipër, këtë nuk dimë ta themi me siguri. Ajo që mund të themi me siguri është që janë banorët më të spikatur të këtij edicioni.
Luizi tashmë është një nga personazhet më të pëlqyer. Buja që ai ka bërë në publik është e jashtëzakonshme, si kurrë më parë. Duket se në sytë e publikut nuk ka rivalitet dhe suksesi i tij është tashmë i konsoliduar. Çdo gjë në ktë pikë sillet rreth tij, edhe personazhet e tjerë që do ta ndajnë finalen me të.
Olta, megjithëse një banore që ka shkaktuar mospëlqim në publik dhe shihet si një personazh antipatik, i duhet shtëpisë për të vetmen arsye se është “armikja” kryesore e Luizit. Prania e saj krijon dinamika dhe ngjarje të reja. Në një lojë si Big Brotheri duhet të ketë gjithmonë dy pole të kundërta, dy pika rreth të cilave sillet çdo gjë tjetër.
Maestro është personazhi tipik që shkakton të qeshura me sjelljet dhe situatat që krijon. Ai arriti të bëhet shumë i dashur për publikun dhe për banorët brenda shtëpisë, duke tejkaluar pritshmëritë e secilit prej nesh. Maestro është personazhi që qëndron në qendër të dy poleve dhe përpiqet të mbajë një marrëdhënie të mirë me secilin prej tyre. Personazhe të tilla nga edicionet e kaluara kanë treguar se arrijnë të shkojnë deri në finalen e madhe.
Kristi është personazhi i zgjuar, i tërhequr, racional por edhe trazovaç. Krisi në një mënyrë apo tjetër do gjendet gjithmonë mes ngjarjeve që krijohen në shtëpi, dhe shpeshherë e kemi parë dhe si personazh rreth të cilit krijohen ngjarje. I vendosur për të spikatur në çdo prime, ai është bërë tashmë një banor i rëndësishëm i asaj shtëpie.
A janë vërtetë “bërthama” Luizi, Olta, Maestro dhe Kristi?
Mënyra sesi është zhvilluar loja deri në ktë pikë ka treguar që po.
Personazhet e tjera nuk janë pikasur në të njëjtën mënyrë dhe nuk kanë pasur të njëjtin ndikim në publik.
Dhe pavarësisht sesa hyrje të reja do ketë, loja tashmë është krijuar dhe futur në rrugën e saj. Nuk mendoj që banorët e rinj do arrijnë ta ndikojnë dhe trazojnë atë, deri në pikën për ta ndryshuar. Mendohet që Bledi do jetë një nga ata banorë që do sjellë trazira, por me shumë gjasa e vetmja gjë që do sjellë është antipatia.