Fundjavë në Prizren. Ja si një qytet ruan me fanatizëm shqipen tonë të bukur

Shqipëri

Disa minuta matanë kufirit, shumë afër me Shqipërinë, gjendet Prizreni, një qytet i vogël i Kosovës, i cili shërben si një destinacion për të kaluar fundjavën por edhe si një pikë vendpushimi nëse rruga po ju çon andej pari.

Qyteti i Prizrenit është një vend unik në Ballkan, me vlera të trashëgimisë kulturore, të civilizimeve dhe religjioneve të ndryshme. Ai shtrihet rrëzë maleve te Sharrit, në të dy brigjet e Lumbardhit. Me kalanë që qëndron në krye dhe shtëpitë karakteristike me çati të kuqe dhe oxhaqe, Prizreni e mban më së miri epitetin e ”muzeut nën qiellin e hapur” .

Çatitë e kuqe të Prizrenit

Eshtë mjaft i bukur, me ura të gurta që lidhin dy anët e lumit që kalon mespërmes tij, me larminë e ndërtesave të stilit otoman, dyqanet me produkte autentike shqiptare, apo dhe gjurmët që ka lënë historia, si Shtëpia Muze e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ka kaq shumë gjëra për të parë, shtoji kësaj edhe shijen unike të ushqimit tradicional.

Por ajo çfarë më bëri një përshtypje të veçantë është fakti sesa të lidhur janë kosovarët me gjuhën shqipe. Ndërkohë që ne po fusim gjithnjë e më shumë fjalë të huaja në leksikun tonë, e sidomos të rinjtë, ata janë fanatikë të ruatjes së identitetit dhe gjuhës shqipe. Gjuha jonë është aq e bukur dhe njeriu është i prirur të mbushet me lumturi aty ku janë rrënjët e tij. Ja pse të shihja një qytet që ruan me fanatizëm shqipen tonë të bukur, më mbushi me gëzim dhe një ndjenjë të bukur krenarie. 

Ja disa prej tyre: 

Gjuha është një pjesë e rëndësishme e identitetit tonë.

Në fillim ishte Fjala. Kështu ishte në fillim dhe kështu është ende sot. Gjuha, Fjala, mbart brenda saj historinë, kulturën, traditat, vetë jetën e një populli. Gjuha është populli. Nuk mund të konceptohet një popull pa gjuhë, as një gjuhë pa një popull. Të dy janë një dhe e njëjta gjë. Të njohësh njërën do të thotë të njohësh tjetrin.

Sabine Ulibarrí, 1972

Fjalët, gjuha, kanë fuqinë për të përcaktuar dhe formësuar përvojën njerëzore. Është për shkak të gjuhës që ne mund t’i emërtojmë përvojat tona. Dhe ku e si më mirë sesa në gjuhën mëmë. 

Imagjinoni sesa shpejt do zhdukej gjuha shqipe me zëvendësimet e frikshme të fjalëve nga të rinjtë. Dhe Shqipërisë do i humbiste pak nga pak një pjesë e identitetit të saj kulturor.

Sot, në një botë të hapur me urat më të shpejta të komunikimit, ne gjendemi njëkohësisht kudo, nëpërmjet rrjeteve sociale, të cilët kryesisht flasin gjuhën universale, anglishten. Kam vënë re një përsosmëri të të folur anglisht te të vegjlit. Jo vetëm që e dinë shumë mirë anglishten por e flasin edhe me theks. Gjithashtu adoleshentët kanë tendencën të fusin shumë fjalë anglisht në të folurit e tyre të përditshëm. Çfarë do ndodhë me gjuhën shqipe pas disa vitesh kur këto breza të bëhen prindër e më pas gjyshër? Sa fjalë shqipe do humbasin rrugës derisa në fund të zhduken sikur të mos kenë ekzistuar kurrë?