Shqipëria, vendi evropian më i gjelbër i muajit – ja pse

Shqipëri

“Krizat e klimës dhe natyrës i kanë futur vendet evropiane në një lloj rivaliteti të shëndetshëm me njëri-tjetrin.

Në garën për të arritur emetimet neto zero dhe për të gjallëruar ekosistemet, fitorja e çdo kombi është një fitore për të gjithë ne. 

Nga fushat me diell të Spanjës deri te nxehtësia nëntokësore e Islandës, çdo vend ka burimet e veta natyrore unike. Si dhe kontekstin e tij të veçantë politik dhe ekonomik që mund të ndihmojë ose pengojë veprimin e klimës.

Këtë muaj, ne po festojmë një vend evropian që ka bërë gjënë e duhur për një nga veçoritë e tij më të çmuara natyrore: Shqipërinë.”, kështu nis artikulli i euronews.green i cili ka zgjedhur Shqipërinë si vendin europian më të gjelbërt të këtij muaji.

Qeveria shqiptare ka marrë vendimin e guximshëm për të krijuar një Park Kombëtar prej 12,727 hektarësh, duke përfshirë edhe Vjosën 190 kilometra të gjatë.

“Ndoshta Shqipëria nuk ka fuqinë për të ndryshuar botën, por mund të krijojë modele të suksesshme të mbrojtjes së biodiversitetit dhe pasurive natyrore”, tha Mirela Kumbaro Furxhi, Ministre e Turizmit dhe Mjedisit.

Statusi i parkut të mbrojtur është një mburojë për mbi 1000 specie që jetojnë në lumë dhe zonat përreth tij, nga shkabat e rralla dhe ngjalat evropiane, tek lundërzat dhe rrëqebulli i Ballkanit i rrezikuar në mënyrë kritike.

Lufta me interesat konkurruese njerëzore për lumin nuk ishte detyrë e lehtë. Në një moment u propozu ndërtimi i 45 digave në Vjosë dhe degët e saj. Zhvilluesit kërkuan të shfrytëzonin sa më shumë potencialin hidroenergjetik të lumit pasi vendi varet nga ky burim i rinovueshëm.

Pas vitesh fushate nga koalicioni “Save the Blue Heart of Europe”, asnjë digë, nxjerrje zhavorri apo aktivitete të tjera të dëmshme nuk lejohen tani në brigjet e tij.

Fuqia e njerëzve gjithashtu ka kontribuar në një pjesë të madhe të kësaj historie. Në fshatin e vogël jugor të Kutës, banorët e kanalizuan rezistencën e tyre ndaj një hidrocentrali në një projekt ambicioz të energjisë diellore, duke vendosur panele në ndërtesat publike.  

Prodhimi i energjisë në Shqipëri është tashmë 100% i rinovueshëm, por vendi po punon për të diversifikuar burimet e tij.

Megjithatë, qeveria shqiptare është kritikuar për vendosmërinë e saj për të ndërtuar një aeroport të ri pranë lagunës Vjosa-Narta, e cila është shtëpia e shumë zogjve, duke përfshirë flamingot dhe pelikanët.

Shqipëria është një vend i vogël që nuk mund ta ndryshojë botën, por ne mund të kontribuojmë në krijimin e modeleve.