Si të përballeni me stresin e punës?

Shëndetësi

Të gjithë kanë stres. Është një nga reagimet më të natyrshme njerëzore. Kur përballemi me një konflikt, një polemikë ose çdo lloj paqartësie, zakonisht përgjigja që shkaktohet është ajo që ne e quajmë “lufto ose ik”. 

Përpara se të flasim për dinamikat e fuqisë organizative që provokojnë stresin, është e rëndësishme të identifikojmë shenjat e stresit të punës, pasi shumë njerëz përballen me një sfidë kur bëhet fjalë për identifikimin e emocioneve të tyre dhe etiketimin e simptomave.

Ne mund të jemi të stresuar për një kohë shumë të gjatë përpara se të fillojmë të kuptojmë se diçka nuk është në rregull. Jemi mësuar aq shumë me ide të tilla si ‘pa dhimbje ska përfitim’, saqë në një farë kuptimi në thelb e mendojmë stresin e punës si pjesë e përvojës sonë profesionale.

Pastaj, i njëjti stres i patrajtuar mund të çojë në burnout, një kolaps total të gjendjes sonë fizike, emocionale dhe intelektuale. Kur edhe sindroma e burnout-it lihet e patrajtuar, ajo mund të çojë në depresion.

Ka shumë burime që krijojnë stres në punës, por zakonisht më të rëndësishmet për shumicën e individëve janë këto:

1. Mungesa e Strukturës

Mjedise pune pa hierarki të qartë, pa grafik organizativ, pa saktësi në përshkrimin e roleve dhe KPI (Treguesit kryesorë të performancës).

Jetesa e njerëzve zakonisht varet shumë nga puna e tyre. Si rezultat, të mos dini se ku qëndroni, ku po shkoni ose çfarë duhet të bëni në mënyrë që të keni sukses dhe të ecni përpara, mund të jetë një burim i madh stresi në punë.

2. Kulturat toksike

Thashethemet, konkurrenca mes kolegëve dhe sjelljet poshtëruese janë vetëm disa shembuj të një kulture që edhe pse jo në mënyrë aktive, prodhon stres për njerëzit.

3. Udhëheqje e dobët ose problematike

Një shef që nuk është lider, por menaxher, një narcisist që përpiqet t’u imponohet të tjerëve apo edhe një lloj mbikëqyrësi, krijon situata që i çorientojnë njerëzit, duke i lënë ata të pyesin veten se çfarë sjellje duhet të kenë dhe si duhet të veprojnë.

4. Mungesa e Vizionit

Një kompani pa strategji ose pa vizion të qartë mund të krijojë stres të rëndë. Arsyeja është se njerëzit duhet të dinë paraprakisht se për çfarë po punojnë dhe ku do arrijnë.

Ndryshimet e vazhdueshme pa justifikim, anulimi i detyrave, apo edhe projekteve të tëra në minutën e fundit dhe zëvendësimi i tyre me të tjerë, janë të gjitha shenja që tregojnë se nuk ka një plan real. Çfarë është më stresuese se të jesh duke punuar për një kompani pa plan?

5. Paqëndrueshmëria financiare

Kur një kompani, një treg apo një industri vuan financiarisht, kjo sigurisht që do të ndikojë në mirëqenien e njerëzve. Në të njëjtën kohë, shumë korporata mund të lulëzojnë dhe ende të jenë financiarisht të paqëndrueshme, jo për shkak të problemeve me paratë, por për shkak të keqmenaxhimit financiar dhe organizimit të dobët.

Pagesat ‘spontane’ dhe parregullsitë mund të shkaktojnë stres, edhe kur në fund dikush merr shumën e plotë të dakordësuar.

6. Shkelja e Kontratës Psikologjike

Ndërsa kontrata financiare me një organizatë mbulon të gjithë anën e kompensimit dhe detyrimeve, kontrata psikologjike është një koncept krejtësisht i ndryshëm.

Kur bëhemi pjesë e një vendi të ri pune, ne e bëjmë atë jo vetëm për atë që thuhet në letër, por edhe për gjithçka që ata na lejojnë të besojmë si të vërtetë, si e shesin veten si punëdhënës dhe çfarë na thanë gjatë procesit të rekrutimit. Kur një ose disa nga këto gjëra rezultojnë të rreme ose të pasakta, atëherë kemi një shkelje të kontratës psikologjike, e cila sjell stres.

Duke thënë të gjitha sa më sipër, stresi nuk është gjë e keqe, kur kanalizohet në drejtimin e duhur.

Si të përballeni me stresin e punës në një mënyrë të shëndetshme

Stresi i punës nuk duhet të na paralizojë. Sa herë që ndjejmë stres të rëndë në punë, duhet t’i bëjmë vetes pyetjet e mëposhtme:

Pse ndihem kështu? Ku bazohet stresi im? Çfarë duhet të ndryshoj?

Ndryshimi është sigurisht fjala kyçe.

Nëse ajo që ju shkakton stres është paqartësia në vendin tuaj të punës, atëherë mund të vendosni kufij më të qartë. Nëse ajo që ju streson është se të gjithë flasin pas shpinës së të tjerëve, atëherë nuk duhet të largoheni derisa të fillojnë t’ju lënë jashtë saj.

Kur ne ndryshojmë, mjedisi priret të përshtatet, dhe për këtë arsye ne kemi gjithmonë më shumë fuqi sesa mendojmë për të ndikuar dhe provokuar ndryshime pozitive.

Në të njëjtën kohë, ne duhet t’i bëjmë vetes pyetjen: a ia vlen vërtet kjo punë?

Nëse përgjigja është po, atëherë ju duhet të përshtateni dhe të gjeni një mënyrë për ta bërë atë të funksionojë, duke u fokusuar në atë që doni të fitoni realisht nga kjo përvojë; mësimet që mund të mësoni, rrjeti që mund të ndërtoni apo paga që ju duhet për të bërë gjërat që dëshironi.

Nëse përgjigja është jo, atëherë mbani në mend se ne të gjithë kemi sasi të kufizuara energjie dhe për këtë arsye nëse e keqpërdorni atë në punën e gabuar, atëherë kur gjëja e duhur vjen dhe ju duhet kjo energji, mund të mos e keni atë pasi keni shteruar.

Natyrisht, këto sjellje janë të ndërlikuara. Që ky transformim të ndodhë, ekzistojnë dy zgjidhje të mundshme:

I. Këshilla të shpejta për të ndihmuar me stresin e punës

Në anën praktike të temës, këtu janë disa këshilla të shpejta që mund të ndihmojnë me stresin e punës:

  • Dëgjoni muzikë ose tinguj qetësues. Ka shumë video ne youtube që mund t’ju ndihmojnë të lehtësoni stresin tuaj të punës, të tilla si tingujt e shiut, të pyllit, të drurëve teksa digjen, valëve të detit etj.
  • Bëni aktivitet fizik. Për disa njerëz, joga dhe pilates janë zgjedhjet më të mira kur bëhet fjalë për lehtësimin e stresit. Sidoqoftë, nëse stresi juaj kombinohet me emocione më të forta si zemërimi, atëherë diçka më dinamike si artet marciale ose kërcimi mund të jetë më ideale. Ajo që në përgjithësi është shumë e dobishme për shumicën e njerëzve është vrapimi, pasi në një farë mënyre e detyron trurin të pastrohet.
  • Hapuni me të tjerët. Mos kini frikë të flisni për stresin tuaj të punës. Miqtë, partneri apo edhe kolegët tuaj duhet të jenë sistemi juaj i mbështetjes dhe nuk keni pse t’i kaloni vetëm sfidat tuaja. Ndonjëherë, edhe të shprehemi dhe të themi atë që po mendojmë është e mjaftueshme për të na bërë të ndihemi më mirë.
  •  Krijoni një rutinë lehtësimi. Nëse jeni një person që stresohet shumë nga puna e tij, atëherë duhet të krijoni një rutinë që ju rikalibron. Disa ide të mira për ritualet e lehtësimit të stresit janë banjat e ngohta me flluska, gatimi dhe vozitjet e gjata me makinë.

II. Ndryshimi i mendësisë

Ka shumë këshilla shtesë që duhen ndarë rreth menaxhimit të stresit të punës, por në këtë pikë, le të përqendrohemi në anën psikologjike të temës.

Në vitin 1987, një studiuese e quajtur Patricia Linville, propozoi idenë se njohja e vetvetes përfaqësohet nga aspekte të shumta të vetes.

Nga njëra anë, ka kompleksitet të lartë të vetvetes ku aspektet e vetvetes janë të shumta dhe të diferencuara (ato nuk mbivendosen me njëra-tjetrën), ndërsa nga ana tjetër, ka kompleksitet të ulët të vetvetes ku aspektet e vetvetes janë të pakta dhe të padiferencuara. (ato mbivendosen.)

Sipas Linville, individët me vetë-kompleksitet të ulët përjetojnë ndjenja më intensive (pozitive ose negative) kur atyre u ndodh diçka në krahasim me njerëzit me kompleksitet të lartë të vetvetes.

Për shembull, imagjinoni një burrë që është beqar dhe punon si avokat në një kompani shumë të madhe.

Nëse ky njeri ka kompleksitet të lartë të vetvetes, nëse humbet punën e tij, me shumë mundësi do të përfundojë duke u ndjerë i humbur, pa qëllim dhe pa identitet. Në të njëjtën kohë, nëse ky njeri është një avokat, një bashkëshort, një baba dhe gjithashtu ka një interes të madh për artin, edhe nëse humbet punën, këto aspekte të tjera të personalitetit të tij, apo edhe më mirë, identitetet alternative, do të jenë ende mjaftueshëm të forta për t’i dhënë atij vetëbesimin që i nevojitet për të vazhduar përpara dhe për të gjetur një punë tjetër.

Kur jemi të fiksuar pas një pjese të jetës sonë, sigurisht që do të ndjejmë shumë stres rreth saj, pasi ajo është gjithçka që kemi.

Puna jonë është e rëndësishme. Shumica prej nesh vetë-identifikohen përmes punës që bëjnë. Ajo mund të jetë burimi i pavarësisë, vetëvlerësimit dhe mbështetjes emocionale. Megjithatë, nuk mjafton.

Ne kemi nevojë për më shumë. Ne kemi nevojë për më shumë sepse jemi më shumë dhe nuk duhet të kemi frikë të njohim të gjithë elementët tanë të brendshëm, pavarësisht se sa kontradiktore ose joproduktive mund të jenë ato, sepse vetëm duke balancuar të gjitha identitetet tona të brendshme mund të jemi  të lirë nga stresi, por edhe e lumtur.